Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka publikuar një reagim të fortë politik, ku akuzon kryeministrin Edi Rama për tradhtim të besimit të qytetarëve dhe bashkëpunim me krimin.
Në deklaratën e tij, Spahia e cilëson “Besën” si institucionin më të lartë moral të shqiptarëve, duke thënë se kryeministri e ka përdorur atë si një mjet për të fituar zgjedhjet përmes premtimeve, të cilat sipas tij, nuk janë mbajtur.
Sipas deputetit demokrat, pas çdo fushate elektorale, qytetarët përballen me premtime të pambajtura, rritje taksash dhe arrogancë nga qeveria, ndërsa, sipas tij, ndaj botës së krimit zbatohet një “Omertà” mafioze, e karakterizuar nga heshtja, mbrojtja dhe bashkëpunimi.
Spahia shprehet se Shqipëria po përballet me një realitet ku qytetarëve u ofrohen iluzione, ndërsa interesat e krimit mbrohen. Ai pretendon se “Omerta” është kthyer në rregullin e vërtetë të funksionimit të pushtetit, ndërsa “Besa” e dhënë gjatë fushatave mbetet vetëm një premtim i pambajtur.
Në përfundim të reagimit, deputeti Bardh Spahia deklaron se “Besa e tradhtuar nuk harrohet” dhe se, sipas tij, koha e heshtjes ka përfunduar, duke e akuzuar kryeministrin Rama se ka qenë dhe mbetet, sipas tij, “i pabesë me qytetarët dhe shërbëtor i të ligëve”.
