Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Prekal të Shkodrës, ku Aleksandër Koçeku u qëllua për vdekje brenda në makinën e tij.
Zyrtarisht, deri më tani, nuk dihet identiteti i autorit dhe nëse ka vepruar i vetëm, si dhe as motivi i këtij ekzekutimi. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 në aksin rrugor Prekal-Kir, ndërsa policia po kreh zonën për të lokalizuar autorin ose autorët.
Blutë nuk e përjashtojnë pistën që Aleksandër Koçeku të jetë vrarë për motive hakmarrjeje, pasi një vit më parë familjari i tij, Vasel Koçeku, dyshohet se ekzekutoi të riun Pavlin Preka në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Guci e Re.
Ngjarja me të cilën dyshohet se lidhet ekzekutimi i kësaj të shtune ka ndodhur më 26 shkurt të vitit të kaluar. Si autorë të dyshuar u arrestuan Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, të cilët vijojnë të qëndrojnë në qeli. Ata nuk e kanë pranuar autorësinë e krimit, por përgjimet telefonike, sipas grupit hetimor, kanë treguar të kundërtën.
Dyshohet se Lisaj është personi që ka thirrur dhe nxjerrë nga shtëpia 20-vjeçarin Preka, ndërsa ekzekutori ka qenë Vasel Koçeku.
Ngjarja u tha se kishte si motiv një konflikt të gjatë që lidhej me insistimin e Pavlin Prekës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, që në kohën kur ajo ishte 13 vjeçe, ndërsa Preka ishte vetëm 17 vjeç. Historia, sipas hetimeve, nisi kur i mituri i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku, por i ati e kishte refuzuar, pasi “nuk kishte vajzë për të martuar, sepse ishte shumë e vogël dhe duhej të ndiqte shkollën”.
Pavlin Preka këmbëngulte për martesën me vajzën e Vasel Koçekut, ndërsa këtë e kishte shprehur edhe te persona të tjerë, se do ta rrëmbente, çka dyshohet se çoi edhe në vrasjen e tij.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
