Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, ka akuzuar qeverinë se projekti i autostradës Milot–Balldren është një tjetër shembull i keqmenaxhimit të fondeve publike dhe i kontratave koncesionare me kosto të fryra.

Sipas Hotit, projekti u propozua në vitin 2018, ndërsa kompania përfitoi bonusin prej 8.5% nga Këshilli i Ministrave. Fillimisht, për ndërtimin e 17.2 kilometrave rrugë u kërkuan 256 milionë euro, ose rreth 15 milionë euro për kilometër. Më pas, sipas tij, vlera totale e kontratës është rritur në rreth 365 milionë euro, duke përfshirë financimin, operimin dhe mirëmbajtjen gjatë periudhës koncesionare.

Deputeti demokrat u ndal edhe te gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili, sipas tij, ka evidentuar një rritje artificiale të kostos pas riklasifikimit të projektit nga “rrugë interurbane” në “autostradë”. Ai theksoi se ky ndryshim ka rritur vlerën e projektit në studimin e fizibilitetit nga 61.5 milionë euro në 140 milionë euro.

Hoti argumentoi se mbivlerësimi i projektit, ndryshimi i klasifikimit teknik dhe mungesa e konkurrencës reale përbëjnë elemente që, sipas tij, ngrenë dyshime për korrupsion, duke iu referuar edhe vlerësimeve të ekspertes ndërkombëtare Cristina Ciubotaru mbi kontratën Milot–Balldren.

Në reagimin e tij, deputeti krahasoi koston e këtij projekti me autostrada të ngjashme në Kroaci dhe Mal të Zi, duke theksuar se ato janë ndërtuar në terrene më të vështira, por me kosto që, sipas tij, janë të krahasueshme ose më të ulëta.

Në përfundim, Hoti i bëri thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të publikojë preventivin e detajuar të projektit, duke kërkuar transparencë mbi kostot e ndërtimit, mirëmbajtjes 35-vjeçare, financimit dhe fitimit të koncesionarit, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të bëjnë një krahasim të plotë me projekte të ngjashme në rajon.