
Ajo çfarë raportohet se ka ndodhur pas ndeshjes Elbasani- Vllaznia për Superligën, e pamohuar vendosmërisht as nga pala e akuzuar- klubi kuqeblu, nuk është fenomen që ndodh për herë të parë, me shumë mundësi, as i fundit. Nga divani i shtëpisë, nxitur edhe nga tifozllëku, simpatia apo antipatia që mund të shkojë edhe përtej anës sportive, është shumë e thjeshtë të japësh mend. Kështu, jo vetëm nëpër banaqe televizive por edhe në rrjete sociale ku “budallenjtë e fshatit” jo vetëm kanë gjetur hapësirë për tu vetëdenoncuar si të tillë, por në mes “gjithologogjisë” si shpencë, janë ekspertë edhe në interpretimin e rregulloreve të UEFA apo FIFA.
Pa shkuar tek kjo pikë, është e rëndësishme të gjykohet ajo që ka ndodhur përpara, jo vetëm në këto dy javë Superlige por edhe sezonin e kaluar. Analiza sigurisht, bëhet mbi bazë perceptimesh, pa përjashtuar se mund të ketë edhe subjektivizëm. Kjo, në kushtet kur drejtësia sportive në këtë vend, jo vetëm anatemohet por ka dhënë prova që në jo pak raste, është edhe më e njënashme se “drejtësia njerëzore” përmes gjykatave, që rëndom në këtë vend nga 2016- a, quhet “drejtësia e re”.
Ndërsa sistemi i “drejtësisë sportive” nuk ka asnjë shans të jetë perfekt, e njëjta gjë duhet pranuar për të gjithë komponentët e lojës së futbollit, nga ajo që nuk shihet në fushën e blertë, deri tek përballja e pjesa që shoqëron rënien e fundit të bilbilit nga arbitrat.
Është e qartë, e padiskutueshme, askush nuk ka dëshirë ti drejtohet vetëgjyqësisë, as edhe në futboll. Askush nuk ka dëshirë që përmes vetëgjyqësisë, të simulojë apo më keq akoma, të gjenerojë dhunë në fushë apo jashtë saj. Por gjërat janë të lidhura, të ndërthurura në sport, ashtu si në jetën e përditshme sociale.
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, ai që duhet “të ndajë shapin nga sheqeri”, të përcaktojë kush ka të drejtë dhe jo, ka njohur episode të rënda, deri në kufijtë e çmendurisë njerëzore. Janë vrarë, plagosur, rrahur gjyqtarë, prokurorë, avoketër. Sigurisht, pjesa dërrmuese nuk i ka përkrahur, stimuluar veprime të tilla, ndërsa shteti në kuptimin e parë të tij, është përpjekur të reagojë. Diku ia ka dalë disi, diku ka dështuar, qoftë edhe në konceptin e reformës së sistemit të drejtësisë njerëzore. Pak a shumë, e njëjta situatë është edhe tek “drejtësia sportive”. Janë dy sisteme, që mbase çuditërisht, ecin paralel.
Ndryshe nga “drejtësia njerëzore”, ku shteti të paktën ka bërë përpjekje për minimizimin e fenomeneve negative (ndër to, edhe vetting- u), tek “drejtësia sportive”, askush nuk është ulur ndonjëherë të diskutojë, shoshitë, analizojë dhe në fund të japë një platformë se si mund të përmirësohen gjërat. Pra, FSHF, Shoqata e Arbitrave apo edhe klubet e futbollit, përtej reagime të para, kryesisht gjaknxehta, nuk kanë menduar më gjatë për rrezikun e përsëritjes. Çdo gjë ka nisur e përfunduar tek ndëshkimet e “fajtorëve”, kur fajtori më i madh është vetë sistemi, me të gjithë komponentët e sipërcituar.
Futbolli, si në të gjithë botën, ka aspektin e lojës, asaj çfarë shfaqet në 90 minuta por më i rëndësishëm dhe jetik, është aspekti financiar. Sot, pjesa dërrmuese e kluve të futbollit, janë private, kanë pronarë/aksionerë që paratë i nxjerrin nga “xhepat e tyre”, bisnese të tjera apo edhe nga miqtë që besojnë tek arritja e objektivave. Edhe në 2026- ën, pjesa dërrmuese e klubeve shqiptare synojnë trofetë apo pjesëmarrjen në Kupat e Europës, gjithmonë me synimin që të “reduktojnë” kostot sezonale të ekipeve. Imagjinoni, një president që në një sezon mund të shpenzojë 1.5 mln ose 2 mln euro dhe ta shohë ti ikin të gjithë objektivat, rrjedhimisht edhe mundësitë për të fituar përmes arritjes së rezultateve në fushën e blertë, për shkak të një vendimi të gabuar, me apo pa dashje, të një apo disa arbitrave! E kjo situatë, të përsëritet për disa vite, përveç stresit që vjen edhe nga trysnia e tifozëve, të vazhdojë të hedhë para në një “gropë” që praktikisht nuk mbyllet kurrë. Ftubollit është lojë, është spektakël por natyrisht është edhe bisnes dhe si i tillë, kostot financiare, dështimi i objektivave në një sezon, sjell edhe pasoja të rënda financiare.
Sigurisht, të gjitha risqet e merkatove të gabuara, lojtarëve larg pritshmërive fillestare, kostot e mundshme ekonomike, mund të parashikohen nga pronarë/aksionerët privatë të klubeve. Por ajo që nuk mund të parashikohet asesi, është qasja e “drejtësisë sportive” ndaj garës në fushën e blertë e jashtë saj. E nëse kjo funksionon keq, është paragjykuese apo nuk funksionon në drejtim të një apo disa klubeve, reagime si ato të ndeshjes apo pasndeshjes Elbasani- Vllaznia, duhet ti pranojmë si gjëra krejtësisht normale brenda këtij sistemi. Në fakt, ka një shprehje biblike që përmbledh disi të gjithë këto rreshta: Kush është i pamëkat, të hedhë gurin e parë! /Nga Blerti DELIJA/




