
Përreth dy orë, kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve të PS, u mblodhën në Vilën e Kuqe në kryeqytet.
Burime mediatike bëjnë të ditur se kryeministri Rama ka mbërriti te Vila e Kuqe që në orën 17:00, ndërsa të pranishëm janë edhe disa prej këshilltarëve të tij, si Etilda Gjoni apo edhe drejtori juridik. Ndërkohë i pranishëm në mbledhje mësohet se është edhe drejtori i AKSHI-t, Igli Tafa. Ky takim pason mbledhjet dy ditore në Pogradec dhe mbledhjen e djeshme të qeverisë. Në perimetrin rreth Vilës së Kuqe ka prani të konsiderueshme të efektivëve të Policisë, të cilët po kujdesen për mbarëvajtjen e takimit.
Kryesocialisti gjatë mbledhjes dha udhëzimet për takimet që duhet të nisin drejtuesit politik në zonat e tyre elektorale, për t’u shpjeguar strukturave dokumentet strategjike të mazhorancës qeverisëse, ‘Besën’, ‘Praninë Besnike’.
Burime mediatike bëjnë të ditur se nuk ka pasur ndryshime në nivel drejtuesish politikë të qarqeve, apo ndryshime të tjera rrënjësore, por ka qenë vetëm një mbledhje me karakter organizativ. Ditën e nesërme pritet që kryeministri Edi Rama të mbajë një tjetër takim, këtë herë me të deleguarit e PS për Tiranën, ku diskutimi pritet të jetë i njëjtë, mbi ‘Besën’, Praninë Besnike’ dhe ‘Pasqyrën’.
Në Pogradec u prezantua edhe platforma “Pasqyrë Albania”, ku do të grumbullohen dhe ndiqen ankesat e qytetarëve. Synimi është që problematikat të marrin përgjigje brenda dy javësh dhe qytetari të mund të shohë në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tij.
Platforma do të funksionojë përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë ankesat dhe shqetësimet, dhe “Radar”, që do të gjurmojë rrugën e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Përpos punës përgatitore për zgjedhjet lokale të 2027, socialistët janë në pritje edhe të Asamblesë së PS në javën e parë të shtatorit.




