Spitali i Përgjithshëm i Vushtrrisë "Sheikh Zayed"
Spitali i Vushtrrisë pezullon nga puna dy kirurgët ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë për marrje ryshfeti
Dy kirurgët e Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri, Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi, janë pezulluar nga puna pasi gjatë ditës u raportua se është ngritur aktakuzë ndaj tyre si të dyshuar për marrje ryshfeti.
Vendimin e ka bërë të ditur Spitali i Përgjithshëm në Vushtrri, sipas së cilit, të dy mjekët janë të pezulluar deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
“Ky institucion shpreh përkrahje të plotë për punën e organeve të drejtësisë dhe konfirmon angazhimin e vazhdueshëm për forcimin e kontrollit të brendshëm dhe transparencës në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.” – thuhet në njoftimin e Spitalit, më 02.09.2026.
KALLXO.com raportoi gjatë ditës për ngritjen e aktakuzës ndaj Ekrem Sefiut dhe Valdet Rexhepit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Aktakuzë është ngritur edhe ndaj të pandehurve F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y., L.K., të cilët dyshohet se u kanë dhënë ryshfet doktorëve.
Sipas Prokurorisë, mjeku Valdet Rexhepi në gjashtë raste dhe Ekrem Sefiu në tre raste, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar para në shuma të ndryshme për të ofruar shërbime të trajtimit mjekësor për pacientët.
Në anën tjetër, siç bën të ditur Prokuroria, nëntë të pandehurit akuzohen se në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për vete apo për persona të tjerë, u kanë ofruar mjekëve shuma të ndryshme parash, nga 50 deri në 300 euro, si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit ti shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t`i dënojë sipas ligjit”- thuhet në njoftim.
Më 16.07.2026, KALLXO.com raportoi se dy kirurgët do të mbrohen në liri.
Kjo pasi Prokuroria e Mitrovicës nuk kishte bërë kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak apo të ndonjë mase tjetër, duke vlerësuar se kanë pushuar kushtet për një kërkesë të tillë.
Kirurgët nga Vushtrria nuk figurojnë për herë të parë në regjistrat e Prokurorisë.
Në vitin 2017, Valdet Rexhepi ishte dënuar për marrje ryshfeti me gjobë prej 400 eurosh dhe me gjashtë muaj burgim.
Sipas Gjykatës, më pas dënimi me burgim ishte zëvendësuar me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.
Ndërkaq, Ekrem Sefiu kishte qenë nën masën e arrestit shtëpiak nga 10 janari 2023 deri më 9 shkurt 2023.
Po ashtu, sipas zëdhënësit të Prokurorisë, Departamenti për Krime të Rënda kishte ngritur aktakuzë më 30 korrik 2024 ndaj Sefiut për veprën penale – marrja e ryshfetit.
Arrestimi i dy kirurgëve ishte bërë më 13 maj 2026.