Festivali ‘PriFest' e kthen Prishtinën në qendër të vëmendjes të skenës ndërkombëtare të filmit
Edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë (Prishtina International Film Festival, “PriFest”), do të mbahet mbahet nga 8 deri më 13 shtator 2026, duke sjellë në kryeqytet produksione filmike nga Kosova, vendet e Ballkanit, Europës dhe të botës.
Për gjashtë ditë me radhë Prishtina do të jetë sërish në qendër të vëmendjes të skenës ndërkombëtare të filmit.
Edicioni i sivjetmë i “PriFest”-it sjell një program të gjerë me filma që trajtojnë luftën, traumën, kujtesën, identitetin, familjen, dashurinë, lirinë dhe përplasjet e individit me shoqërinë.
Filmat e Blerta Bashollit dhe Visar Morinës, kandidatë për nominim për çmimin “Oscar”, e kinematografia zvicerane do të jenë në fokus të festivalit.
Regjisori Fatos Berisha, drejtori i “PriFest”-it, thot për KALLXO.com se ky edicion vjen me një program të gjerë dhe me një prani të rëndësishme të emrave të njohur të kinematografisë vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.
Të ftuarit e festivalit
Programi garues i këtij edicioni përfshin kategorinë e filmave ballkanikë, të metrazhit të mesën dhe atij të shkurtër. Këtë vit, sipas drejtorit Berisha e përzgjedhura e programit “Në fokus” është Zvicra.
Përveç filmave, pjesë e festivalit do të jenë edhe emra të njohur të kinematografisë botërore e vendore, dhe aktivitete të tjera.
Berisha ka thënë se mes të ftuarve specialë janë Marten Rabarts, drejtues i “IFFR Pro” në “Rotterdam International Film Festival” dhe anëtar i Akademisë Europiane të Filmit, pastaj Sarah Schiesser, producente dhe zëvendësdrejtoreshë e “Open Doors në Locarno Film Festival” si dhe Olena Morentsova-Shulyk, skenariste, producente dhe mentore nga Ukraina.
“Të tre do të jenë pjesë e jurisë së garës kryesore ‘Balkan Feature Films’”- thot drejtori Berisha.
Festivalit, potencoi më tej ai, do t’i bashkohen edhe Stefano Gaeta, producent muzike, kompozitor, kitarist dhe DJ nga Milano, Dubravka Drakiq (Dubravka Drakic), aktore dhe profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në Cetinje (Mali i Zi), si dhe aktorja e njohur kosovare Gresa Pallaska.
Një vend të veçantë në këtë edicion, sipas Berishës, zë edhe “Swiss Focus”, përmes të cilit “PriFest”-i sjell në Prishtinë kineastë dhe profesionistë të industrisë zvicerane.
“Në kuadër të ‘Swiss Focus’, ‘PriFest’ ka konfirmuar pjesëmarrjen e disa kineastëve dhe profesionistëve zviceranë në juritë dhe në PriFORUM. Në fokus janë regjisoret Marie-Elsa Sgualdo, Lisa Blatter dhe Blerta Basholli, ndërsa në filmin ‘Traces of What Remains’ luan edhe aktori zvicerano-kosovar Dashmir Ristemi”- tha ai.
“Dua” e hap festivalin, “Shame and Money” e mbyll
Edhe këtë edicion, “PriFest” i kushton vëmendje kinematografie kombëtare, duke sjellë filma që pasqyrojnë zërat dhe zhvillimet bashkëkohore të saj.
Këtë vit pjesë e festivalit janë emra që tashmë janë shumë të ekspozuar në skenën ndërkombëtare dhe, siç ka thënë Berisha që ia vlen të veçohen.
Nga Kosova, ka shtuar ai, pa dyshim Blerta Basholli me filmin “Dua”, filmi që hap “PriFest 18”. Ky film pati premierën botërore në “Semaine de la Critique” në Festivalin e Cannes në Francë, ku edhe u nderua me çmimin SACD.
“’Dua’ tani vjen në Prishtinë si një prej titujve më të rëndësishëm të këtij edicioni’- ka shtuar ai.
Po aq i rëndësishëm është Visar Morina me “Shame and Money”, filmi që do ta mbyllë festivalin.
“Filmi pati premierën botërore në ‘Sundance 2026’, dhe tashmë në rrugëtimin drejt garës për Oscar”- ka thënë Berisha.
PriFORUM dhe kinoja e hapur për fëmijë
Përtej shfaqjes së filmave, një rol të rëndësishëm në “PriFest” ka PriFORUM, platforma profesionale që bashkon kineastë, producentë dhe profesionistë të industrisë nga Kosova, Ballkani dhe Europa.
Përmes kësaj platforme festivali organizon masterklasapanele, “Best Pitch”, “Prishtina Rendez-vous”, trajnime për zhvillimin e skenarit, “Works in Progress” dhe shumë mundësi networking-u.
“Pra, synimi është që gjatë gjashtë ditëve Prishtina të jetë jo vetëm vendi ku shfaqen filmat, por edhe një pikëtakim ku kineastët njihen, zhvillojnë projekte dhe krijojnë bashkëpunime të reja”- është shprehur drejtori Berisha.
Edhe këtë vit, siaps tij, do te ketë aktivitete për publikun e ri: “Kino e Hapur – Filma për Fëmijë” që mbahet edhe më 3 shtator 2026, në Parkun mes Ulpianës dhe Dardanisë, dhe më 4 shtator 2026 në Bibliotekën e Fëmijëve në Pallatin e Rinisë.
PROGRAMI I “PRIFEST”-IT PËR 2026
Kategoria e filmave ballkanikë:
Në edicionin e 18-të të “PriFest-it”, “Balkan Competition” sjell një panoramë të fuqishme të kinemasë bashkëkohore ballkanike, filma që guxojnë të prekin plagët e së kaluarës, dilemat e së tashmes dhe ëndrrat për të ardhmen.
Kategoria e filmave të metrazhit të mesëm
Kategoria e metrazhit të mesëm sjell në festival katër filma nga Kosova, Gjermania, Shqipëria, Kroacia, Franca, Bullgaria dhe Zvicra, duke bashkuar zëra të ndryshëm të kinemasë bashkëkohore europiane.
Kategoria e filmave të shkurtër
Kjo kategori përfshin një program të larmishëm premiera botërore, europiane, ndërkombëtare, rajonale dhe kosovare.
Zvicra në fokus
Në kuadër të këtij programi do të prezantohen filmat “Silent Rebellion” dhe “Traces of What Remains” dhe “Dua”.
Filmat e të tri programeve shfaqen në Kino Armata në Prishtinë.
Historiku
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë (PriFest) është themeluar në vitin 2008 nga Vjosa Berisha, producente, dhe regjisori Fatos Berisha.
Programi i filmave i “PriFest”-it i ofron publikut çdo vit filmat më të rinj nga Europa, Ballkani dhe mbarë bota, si dhe programe të veçanta që promovojnë të drejtat e njeriut, tolerancën dhe pranimin e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë.
Në vitin 2015, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë pësoi një ndërprerje si pasojë e shkurtimeve drastike të fondeve nga ministri i ri i Kulturës. Kjo e detyroi menaxhmentin e festivalit të rebelohet dhe të protestojë duke e çuar festivalin në Tiranë, Shqipëri, dhe duke mbajtur një edicion special atje.
Pas ndarjes nga jeta të drejtoreshës së festivalit, Vjosa Berisha (2022), festivali e ndryshoi sloganin nga “Friendship. Forever” në “Vjosa. Forever. PriFest.”.



