Fotografi e video të manipuluara të zyrtarëve të Vetëvendosjes
Deklarata
Spo di shka me ju rrejt ma shum mu kan harxhu krejt rrenat
Vlerësimi
Rrenë
Është i fabrikuar një ilustrim që e portretizon kryeministrin në detyrë, me simbole nacionaliste serbe dhe greke. I rremë është edhe citati që i është mveshur Kurtit, kinse ai ka deklaruar: “Spo di shka me ju rrejt ma shum mu kan harxhu krejt rrenat”. Nga Lëvizja Vetëvendsoje kanë thënë se Kurti asnjëherë nuk ka deklaruar diçka të tillë. Kjo infografikë me pretendime të rreme është publikuar në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK kanë qenë duke negociuar për gjetjen e një emri konsensual për President të Republikës së Kosovës. Këto parti, më 31.08.2026, e kanë propozuar për president juristin, Bekim Sejdiu.
Artikulli
Faqja në Facebook Organizata Illyria (arkiva, arkiva), ka publikuar një fotografi të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti si dhe koordinatores së Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali.
Në fotografi përveç Kurtit, janë vendosur edhe disa simbole nacionaliste serbe, si dhe stema e partisë Lista Sebe.
Mbi atë fotografi është vendosur mbishkrimi: “Spo di shka me ju rrejt ma shum mu kan harxhu krejt rrenat.”- citat që i është atribuuar kryeminisitrit në detyrë, Albin Kurti.
Në përshkrim të kësaj fotografie shkruan: ‘’Kokë marksiste-leniniste-hoxhiste, hugoqaveziane, antishqiptare, antiamerikane, antieuropiane dhe antisemite!’’.
Krypometër e ka kontrolluar faqen e Zyrës së Kryeministrit si dhe profilin e kryeministrit Kurti, por në asnjërën nga to nuk është publikuar ndonjë deklarim i tillë nga Kurti.
Janë dëgjuar edhe konferencat për media që Kurti i ka mbajtur së fundmi (shih këtu dhe këtu), mirëpo në to, ai kryesisht ka folur për zhvillimet politike dhe nevojën për arritjen e një marrëveshje për emer të Presidentit të Republikës së Kosovës.
Krypometër ka kërkuar një koment nga përfaqësues të Vetëvendosjes, të cilët kanë thënë se kjo fotografi dhe citati janë të rreme.
“Ky është edhe një postim i rremë i radhës.”- thuhet në përgjigjen me shkrim të Lëvizjes Vetëvendosje.
Krypometër ka kontrolluar edhe faqen në Facebook të Dejona Mihalit, por ajo nuk ka ndonjë fotografi të postuar se ka qenë ndonjëherë në Kuvend.
Dejona Mihali mban postin “Koordinatore e komiteteve” në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe gjithashtu është anëtare e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mihali ka qenë cak i akuzave nga partitë opozitare në Kosovë, duke e cilësuar atë si person vendimmarrës në qeverisjen e Vetëvendosjes.
Koha e publikimit
Këto përmbajtje po qarkullojnë në kohën kur vendi ka hyrë në një përplasje të re politike. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e kishte caktuar datën 06.08.2026 për mbajtjen e seancës konstituive.
Seanca konstituive e filluar më 06.08.2026 ende nuk ka përfunduar, pasi Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka propozuar asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Propozimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit i takon partisë fituese të zgjedhjeve, që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është hapi i parë për konstituimin e Kuvendit dhe më pas të institucioneve të tjera, zgjedhjen e qeverisë dhe të presidentit (shih interpretimet e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës).
Lëvizja Vetëvendosje po insiston se nuk ka nevojë që të thirret serish seanca konstituive, në mungesë të një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të Kosovës (shih qëndrimet e LVV duke klikuar këtu dhe këtu).
Ndërsa Aleanca dhe Partia Demokratike e Kosovës po kërkojnë që Vetëvendosja të thirrë seancën dhe të konstituojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës pasi për të bërë një gjë të tillë i kanë votat e mjaftueshme.
Kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve të 07.06.2026, Albin Kurti ka ftuar në takime veç e veç liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ardian Gjinin e Aleancës. Kurti e ka takuar disa herë Abdixhikun (shih këtu, këtu dhe këtu) dhe një herë Hamzën, por takimet kanë përfunduar pa marrëveshje politike (këtu).
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës vetëm më 31.08.2026 kanë arritur marrëveshje që të propozojnë Bekim Sejdiun, si kandidat të përbashkët për President të Republikës së Kosovës.
Një nga sfidat e kësaj legjislature do të jetë sërish zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës, për të cilin kërkohet pajtueshmëria e 80 deputetëve. Vendi shkoi në zgjedhjet e mbajtura më 07.06.2026 pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan në zgjedhjen e presidentit të ri brenda afatit kushtetues.
Në zgjedhjet e mbajtura më 07.06.2026, LVV doli fituese dhe mori 53 ulëse në Kuvend, PDK 22 ulëse, LDK 18 dhe Aleanca 7 derisa 20 deputetë të tjerë u takojnë komuniteteve joshumicë.