Danimarka dërgon rekrutë në Grenlandë, tensione në rritje në Arktik (VIDEO)

Për herë të parë në historinë e re, Danimarka ka vendosur rekrutë ushtarakë në Grenlandë, një lëvizje që tregon rëndësinë strategjike në rritje të Arktikut.

Vendosja e trupave vjen në një kohë tensionesh të shtuara, veçanërisht pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për dëshirën e SHBA-së për të marrë kontrollin e Grenlandës, sipas “Telegraph”.

Trump e mbrojti këtë qëndrim për arsye të sigurisë kombëtare dhe kritikoi Kopenhagën për atë që ai e konsideron mungesë investimesh në mbrojtjen e Arktikut.

Danimarka dhe Grenlanda iu kundërvunë ashpër idesë për ndryshimin e statusit të territorit.

Rekrutët janë pjesë e grupit të parë të programit të ri të shërbimit ushtarak të Danimarkës, i cili është zgjeruar për të përgatitur ushtarë të aftë për të vepruar në disa nga zonat më të vështira dhe strategjikisht më të rëndësishme të mbretërisë daneze.

Ata marrin pjesë në ushtrimin “Qëndrueshmëria Arktike”, ku trajnohen për mbijetesë dhe operacione luftarake në temperatura ekstreme dhe kushte të ashpra klimatike.

“Prania jonë këtu tregon se nuk mendojmë vetëm për veten, por edhe për njerëzit në Grenlandë,” tha Davidi 19-vjeçar, një nga rekrutët.

Kopenhaga premtuan miliarda dollarë për forcimin e mbrojtjes së Arktikut, pasi ministri danez i Mbrojtjes pranoi se rajoni ishte lënë pas dore për vite.

Ushtrimi është pjesë e “Arctic Sentry”, një mision i NATO-s i nisur këtë vit për të rritur praninë e aleancës në Arktik dhe për të menaxhuar tensionet brenda NATO-s pas deklaratave të Trump për Grenlandën.

Ndërkohë, Rusia, e cila ka praninë më të madhe ushtarake në Arktik, kritikoi zgjerimin e aktiviteteve të NATO-s, duke e quajtur kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe faktor që rrit rrezikun e konfliktit.

Kina, gjithashtu, ka rritur aktivitetin e saj në rajonin e pasur me minerale, kryesisht përmes bashkëpunimit me Moskën.

Në veri të Rrethit Polar Arktik, rekrutët danezë përballen me terren ekstrem, me shkëmbinj të zhveshur, hapësira të mëdha dhe temperatura të ulëta, në një mjedis ku kushtet klimatike mund të jenë po aq sfiduese sa vetë operacionet ushtarake.

“Besoj se kjo dërgon një mesazh të qartë se Danimarka po forcohet për të ardhmen,” tha Antoni 22-vjeçar, një rekrut tjetër.