Policia, në bashkëpunim me institucionet kompetente shtetërore, gjatë ditës së djeshme i ka konfiskuar një personi juridik dhe dy personave fizikë nga Strumica rreth 1,1 milionë euro, nga të cilat 597.500 euro në cash, ndërsa pjesa tjetër është depozituar në një llogari transaksioni. Këtë e njoftuan sot në një konferencë të përbashkët për shtyp drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, përfaqësues të SVR Strumica, UJP-së, Policisë Financiare dhe Prokurorisë Publike.
Ndaj dy personave fizikë dhe një personi juridik nga Strumica është paraqitur kallëzim penal për shkak të dyshimit për evazion fiskal dhe pastrim parash, transmeton Pa Censurë.
Në kuadër të hetimit janë kryer kontrolle në vendet e lidhura me personat e denoncuar.
Mjetet janë dorëzuar për hetim të mëtejshëm financiar, ku duhet të përcaktohet origjina e tyre dhe lidhja e mundshme me veprat penale për të cilat po zhvillohet procedura.
Institucionet kompetente po verifikojnë se si dhe në çfarë mënyre janë fituar mjetet, si dhe nëse ekziston lidhje me aktivitetet e përfshira në kallëzimin penal, përcjell Pa Censurë.
Në kuadër të hetimit po analizohen gjithashtu flukset financiare dhe dokumentacioni i lidhur me personat e denoncuar dhe personin juridik.








