Singapori jep deri në 55 mijë dollarë për çdo fëmijë, në përpjekje për të rritur lindshmërinë

Qeveria e Singaporit po ofron një paketë të re mbështetjeje financiare për familjet, me synimin për të nxitur lindjet në një kohë kur vendi po përballet me një rënie rekord të numrit të fëmijëve.
Kryeministri i Singaporit, Lawrence Wong, ka njoftuar një paketë që parashikon gati 70 mijë dollarë singaporezë, ose rreth 55 mijë dollarë amerikanë, për çdo fëmijë deri në moshën 17-vjeçare.
Mbështetja nis që në lindje. Familjet do të përfitojnë një grant prej 10 mijë dollarësh singaporezë për foshnjën, ndërsa 5 mijë dollarë të tjerë do të jepen për shpenzimet mjekësore dhe 5 mijë për arsimin.
Paketa përfshin gjithashtu kredi për fëmijët nga mosha 1 deri në 16 vjeç, ulje të tarifave për arsimin parashkollor dhe më shumë leje për prindërit.
“E ardhmja e Singaporit do të jetë po aq e fortë sa familjet që e ndërtojnë atë”, deklaroi Wong.
Masa vjen në një moment kritik për vendin. Norma e lindshmërisë ka zbritur në vetëm 0.87 fëmijë për grua, shumë poshtë nivelit 2.1 që konsiderohet i nevojshëm për zëvendësimin e popullsisë.
Singapori po përballet gjithashtu me një plakje të shpejtë të popullsisë dhe pritet të hyjë këtë vit në kategorinë e shoqërive “super të plakura”, ku mbi 21% e popullsisë është 65 vjeç ose më shumë.
Megjithatë, paratë nuk duket se janë zgjidhja e vetme. Shumë çifte thonë se, përveç kostove të larta, përballen edhe me mungesë kohe dhe vështirësi për të balancuar punën me rritjen e fëmijëve.
Për disa të rinj, paketa e re është një nxitje për të krijuar familje, ndërsa të tjerë theksojnë se mbështetja financiare nuk mund të zëvendësojë kohën dhe angazhimin që kërkon rritja e një fëmije.