Aktualitet

Nga sot më pak autobusë në qarkullim, transporti publik redukton flotën deri në 30%

Nga sot, 1 shtator, transporti publik urban dhe interurban pritet të operojë me 20-30% më pak autobusë, për shkak të rritjes së kostove të karburantit.

Shoqatat e transportit publik i kanë kërkuar qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës ndërhyrje të menjëhershme dhe vijimin e subvencionimit të naftës, duke argumentuar se operatorët nuk mund të përballojnë më kostot e shërbimit me kapacitet të plotë.

Sipas tyre, reduktimi i flotës do të varet nga gjendja financiare dhe kapacitetet që ka aktualisht secili operator.

Masa pritet të sjellë më pak autobusë në linja, pritje më të gjata në stacione dhe më shumë mbingarkesë në mjetet që do të vijojnë të qarkullojnë.

Operatorët theksojnë se kjo nuk është një zgjedhje e tyre, por një masë e detyruar nga kostot e larta të operimit, ndërsa kërkojnë nga institucionet një zgjidhje konkrete për situatën.