HUAJA NGA HUNGARIA: 1 miliard euro dhe 5 pyetje pa përgjigje

Opozita maqedonase pretendon se Qeveria po e fsheh borxhin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, ndërsa kërkojnë që prokuroria të hap hetim për huamarrjen nga Hungaria. Sipas Zhernovskit, Qeveria nuk ka dhënë përgjigje për katër pyetje thelbësore: si u kontraktua marrëveshja, kush e negocioi atë, sa janë provizionet dhe cilat janë shpenzimet e fshehura. Pyetja e pestë, të cilën e theksoi dy herë gjatë konferencës, mbetet prejardhja e parave. Kryeministri ndërkohë akuzat i quajti “teza nebuloze”

Ersan PAJAZITI

Shkup, 4 shtator – Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut duhet të hapë menjëherë lëndë për kredinë prej një miliardë eurosh të marrë nga Hungaria, kërkoi LSDM-ja, pasi, sipas saj, autoritetet hungareze tashmë kanë nisur hetim për mënyrën se si është dhënë ky hua. I pyetur për këtë kërkesë, kryeministri Hristijan Mickoski u përgjigj shkurt: “Po, le të hapë”.

Nënkryetari i LSDM-së, Andrej Zhernovski, tha se Byroja Kombëtare Hetuese e Hungarisë ka sekuestruar mijëra faqe dokumentacion të lidhur me veprimtarinë e Eximbank-ut, institucionit financiar shtetëror hungarez përmes të cilit u realizua kredia e negociuar mes qeverisë së Mickoskit dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban. “Qytetarët duhet ta dinë se Hungaria zyrtarisht hapi hetim për kredinë prej një miliarde eurosh, të cilën e kontraktuan Mickoski dhe qeveria e tij me Hungarinë”, tha Zhernovski. Sipas tij, problemi nuk kufizohet te rritja e borxhit publik, të cilën e cilësoi si vetvetiu problematike. “Këtu bëhet fjalë për një kredi që është plot me dyshime për krim dhe, për fat të keq, për veprime të kundërligjshme”, deklaroi ai.

Çështja të cilën LSDM-ja e ka ngritur në mënyrë të përsëritur dhe që sipas Zhernovskit mbetet pa përgjigje, është prejardhja e mjeteve. Ai pretendoi se paratë mund të jenë siguruar nga Hungaria prej Kinës pak para se kredia t’i jepej Maqedonisë së Veriut.

“Partnerët tanë strategjikë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e dinë shumë mirë se dy vitet e fundit në shtetin tonë po hyn një sasi serioze e parave kineze”, tha ai, duke iu referuar edhe njoftimeve publike të ministrit Stoilkoviq për bisedime të reja për hyrje të fondeve kineze. Sipas tij, qeveria nuk ka dhënë përgjigje për katër pyetje thelbësore: si u kontraktua marrëveshja, kush e negocioi atë, sa janë provizionet dhe cilat janë shpenzimet e fshehura. Pyetja e pestë, të cilën e theksoi dy herë gjatë konferencës, mbetet prejardhja e parave. Zhernovski kërkoi që institucionet e drejtësisë në vend të reagojnë pa vonesë, të kërkojnë informacion nga organet kompetente hungareze për gjendjen e plotë të rastit dhe të verifikojnë të gjitha rrethanat rreth kredive.

“Nuk mund shteti që është shfrytëzuesi përfundimtar i këtyre parave, nuk mund shteti që e merr kredinë dhe nuk mund shteti qytetarët e të cilit do ta kthejnë këtë kredi, të mos hapë hetim për këtë lëndë”, tha Zhernovski. Sipas tij, heshtja e prokurorisë po bëhet vetë e dyshimtë. “Nuk mund një miliardë euro të jenë marrëveshje e fshehtë mes Mickoskit dhe Orbanit”, shtoi ai, me argumentin se ata që do ta shlyejnë huanë kanë të drejtë ta mësojnë të vërtetën.

Por pretendimet e opozitës, nuk i bëjnë aspak përshtypje kryeministrit. I pyetur nga gazetarët se si e komenton kërkesën e opozitës drejtuar Prokurorisë Publike për hapjen e lëndës për kredinë hungareze, Mickoski me një dozë cinizmi tha “Po, le të hapë”. Gjithashtu nëpërmjet një komunikate të veçantë, të lëshuar pasi partia publikoi dokumentin për një huamarrje të re prej 1,3 miliardë eurosh, LSDM-ja e akuzoi qeverinë se po e paraqet borxhin publik në përmasa më të vogla se sa është në realitet.

Partia pretendon se, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, në borxhin publik me gjendje deri në qershor të vitit 2026 nuk është përfshirë borxhi i ri prej 350 milionë eurosh i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Me këtë shumë, thuhet në komunikatë, borxhi do të kalonte 11 miliardë euro. LSDM-ja pretendon gjithashtu se mospërfshirja bie ndesh me Ligjin për borxhin publik, i cili, sipas saj, parashikon që në borxhin publik të llogaritet edhe borxhi i garantuar i ndërmarrjeve publike dhe i shoqërive aksionare të themeluara nga shteti.

Sipas opozitës, vendimi që ndërmarrja e rrugëve të huazojë drejtpërdrejt kishte si qëllim uljen artificiale të deficitit buxhetor. „Kjo nuk është më çështje e interpretimit politik, por çështje e ligjshmërisë, e saktësisë dhe e kredibilitetit të të dhënave zyrtare financiare të shtetit”, thuhet në komunikatë, ku përmendet me emër edhe Koçovska krahas kryeministrit. Pjesa e dytë e komunikatës i kushtohet vendimit të qeverisë të 31 gushtit për huamarrje në tregun ndërkombëtar. LSDM-ja pretendon se borxhi po shkon drejt 12 miliardë eurove, ose 65 për qind të bruto prodhimit vendor. “Nëse huaja prej 1,3 miliardë eurosh ishte planifikuar për vitin 2027, përse u vendos në seancë të qeverisë pesë muaj më herët dhe katër muaj para fundit të vitit aktual?”, pyet LSDM, duke pretenduar se qeveria nuk ka mjete në buxhet, se po negociohet edhe për borxhe të reja me disa kreditorë dhe se deri në fund të vitit do të nevojitet një huamarrje e jashtme e madhe me interes jashtëzakonisht të lartë.

Mickoski i hodhi poshtë të gjitha pretendimet. Ai tha se tezat e LSDM-së janë nebuloze dhe se tregojnë mosnjohje të gjendjes ekonomike dhe financiare të shtetit.

“Teza e parë ishte se përse nuk janë shkruar borxhet të cilat NP Rrugët Shtetërore i mori, për shkak se ato nuk hyjnë në borxhin publik dhe ato duhet ta dinë këtë gjë, për shkak se ka ligj për borxhin publik dhe ato hua janë kornizë, përkatësisht në varësi të asaj se si përparohet në terren dhe si kryhen aktivitetet, ashtu edhe porositen faturat dhe ashtu merren huatë dhe paguhen”, tha kryeministri. Për arsyen pse vendimi i 31 gushtit për huamarrje në tregun ndërkombëtar nuk u përfshi në rebalancin e buxhetit, Mickoski u përgjigj se bëhet fjalë për një euro-obligacion që do të lëshohet vitin e ardhshëm.

“Që të mundemi t’i kthejmë borxhet e qeverisë së kaluar, me të cilat e kanë vjedhur popullin dhe e kanë zbrazur arkën shtetërore, institucionet dhe ministritë”, theksoi Mickoski. Ai vijoi me akuza të ashpra ndaj opozitës maqedonase, duke i cilësuar përfaqësuesit e saj banditë. Zhernovski, nga ana e tij, iu referua edhe thirrjeve të kryeministrit për të ndryshuar temën e debatit publik. “Do të dëgjojmë prej tij tezën e njohur: hajde të flasim për gjërat e bukura. Jo. Do të donim, por nuk mundemi”, tha ai. “Ne do të flasim për të vërtetën. Dhe ajo nuk është aspak rozë”. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm