Vatikani e përshkruan si të lindur në një familje shqiptare, ndërsa në narrativën zyrtare të memorialit në Shkup theksi mbetet te vendlindja, emri, feja dhe qyteti. Dhjetë vjet pas shenjtërimit, pyetja mbetet e thjeshtë: nëse në biografinë e saj mund të gjendet vend për emrin turk, familjen e pasur, katolicizmin, Shkupin dhe Këshillin e Shkupit, pse prejardhja shqiptare mbetet jashtë të njëjtit rrëfim? Nënë Tereza mund të jetë njëkohësisht shkupjane, katolike, indiane dhe shqiptare. Njëra nuk e anulon tjetrën. Ajo që mbetet për t’u korrigjuar nuk është historia e Nënë Terezës, por mënyra se si ajo tregohet
Evis HALILI
Shkup, 4 shtator – Dhjetë vjet më parë, në një ceremoni në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Nënë Tereza u shpall shenjtore, më 4 shtator 2016. Kjo datë përkujtohet çdo vit me aktivitete të ndryshme në Shkup, por profili që institucioni nacional – Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës – jep për të në faqen e saj zyrtare ka mbetur i pandryshuar, shkruan gazeta KOHA.
“Gonxhja ka origjinën nga një familje e pasur”, “Është një emër turk (Gonxhe) dhe do të thotë burbuqe ose lule trëndafili”, “lë Shkupin e saj të lindjes”, “Gonxha la shtëpinë e saj dhe qytetin e saj Shkupin”, “anëtar i Këshillit të Shkupit si i vetmi katolik” – janë disa nga të dhënat që përfshihen në jetëshkrimin e publikuar në faqen zyrtare të institucionit. Edhe njoftimi zyrtar i Shtëpisë Përkujtimore, me rastin e dhjetëvjetorit të shenjtërimit, ndjek të njëjtën linjë.
“E lindur në Shkup si Gonxha Bojaxhiu, ajo e nisi rrugëtimin e saj jetësor në qytetin e lindjes, një rrugëtim që më vonë do ta çonte në Kalkutë dhe në mbarë botën. Por, pavarësisht largësisë, Shkupi mbeti vendi ku filloi historia e saj”. Në këtë rrëfim, Shkupi zë një vend qendror. Por një krahasim me dokumentet e Vatikanit nxjerr në pah një dallim të dukshëm në mënyrën se si paraqitet prejardhja e saj. Në materialin zyrtar të përgatitur nga Selia e Shenjtë për ceremoninë e kanonizimit, Nënë Tereza përshkruhet si e lindur më 26 gusht 1910, në Shkup, “në një familje shqiptare”. Identiteti shqiptar përmendet edhe nga prefekti i atëhershëm i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato, i cili paraqiti shkurtimisht jetëshkrimin e saj para Papa Françeskut.
“E Lumja Terezë e Kalkutës lindi më 26 gusht 1910, në Shkup, në një familje shqiptare”, tha Amato gjatë paraqitjes së jetëshkrimit. Edhe në materialin e Radio Vatikanit për ceremoninë e shenjtërimit, Gonxhe Bojaxhiu përshkruhet si e lindur në Shkup, në një familje shqiptare. Por dëshmia më e drejtpërdrejtë gjendet në biografinë e Nënë Terezës të publikuar nga Selia e Shenjtë, ku përfshihet edhe deklarata e njohur që i atribuohet asaj
“Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”.
Në këtë përkufizim të vetë Nënë Terezës, identitetet nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Ajo ishte shqiptare nga prejardhja, indiane nga nënshtetësia, katolike nga besimi dhe, sipas fjalëve të saj, i përkiste botës për nga thirrja. Në faqen e Shtëpisë Përkujtimore në Shkup, ndërkaq, krahas vendlindjes, gjejnë hapësirë edhe detaje të tjera të biografisë së saj: kuptimi i emrit Gonxhe, gjendja ekonomike e familjes, aktivitetet e saj në kishë e në teatër, pozita e babait në Këshillin e Shkupit dhe largimi nga qyteti. Nuk ka asgjë të diskutueshme në faktin se Nënë Tereza ishte shkupjane nga vendlindja. Ajo lindi në Shkup, u pagëzua aty, kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme në qytet dhe pikërisht aty mori shtysat e para për rrugëtimin e saj fetar.
Por vendlindja nuk është prejardhje. Dallimi bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohen burimet. Në dokumentet e Vatikanit, prejardhja shqiptare përmendet qartësisht në jetëshkrimin e saj.
Në narrativën e memorialit në Shkup, ndërkaq, ajo nuk del me të njëjtën qartësi, ndërsa theksi vendoset vazhdimisht te Shkupi dhe lidhja e saj me qytetin. Dhjetë vjet pas shenjtërimit, pyetja mbetet e thjeshtë: nëse në biografinë e saj mund të gjendet vend për emrin turk, familjen e pasur, katolicizmin, Shkupin dhe Këshillin e Shkupit, pse prejardhja shqiptare mbetet jashtë të njëjtit rrëfim? Nënë Tereza mund të jetë njëkohësisht shkupjane, katolike, indiane dhe shqiptare. Njëra nuk e anulon tjetrën. Ajo që mbetet për t’u korrigjuar nuk është historia e Nënë Terezës, por mënyra se si ajo tregohet. (koha.mk)





