Sipas të dhënave të vlerësuara nga Enti Shtetëror për Statistikë, norma e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë 2026 është 4.3 për qind
Besa IBRAIMI
Shkup, 4 shtator – Rritje prej 4.3 për qind ka shënuar ekonomia e Maqedonisë së Veriut në tremujorin e dytë të vitit 2026. Rritja më e madhe është regjistruar në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa paralelisht janë rritur edhe konsumi final dhe investimet bruto. Të dhënat e reja të Entit Shtetëror për Statistikë tregojnë për një aktivitet më të lartë ekonomik gjatë periudhës prill-qershor. Sipas të dhënave të vlerësuara nga Enti Shtetëror për Statistikë, norma e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë 2026 është 4.3 për qind.
Në tremujorin e dytë të vitit 2026, rritja më e madhe është shënuar në sektorin G – Ndërtimtari, me 21.9 për qind, ndërsa në sektorët R, S dhe T – Art, zbavitje dhe rekreacion; Veprimtari të tjera shërbyese; Veprimtari të amvisërive si punëdhënës; Veprimtari të amvisërive që prodhojnë mallra dhe kryejnë shërbime të ndryshme për nevoja vetjake, rritja ishte 5.1 për qind.
Konsumi final në tremujorin e dytë të vitit 2026 është rritur nominalisht me 7.0 për qind, ndërsa pjesëmarrja e tij në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është 83.2 për qind. Investimet bruto në tremujorin e dytë të vitit 2026 janë rritur nominalisht me 14.5 për qind, si rezultat i rritjes së investimeve bruto në mjetet themelore. Sipas të dhënave të rregulluara sezonalisht dhe kalendarikisht, norma e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, është 4.0 për qind.
Të dhënat e tremujorit të dytë japin një pasqyrë pozitive për aktivitetin ekonomik, me ndërtimtarinë dhe investimet që shënojnë rritje të ndjeshme. Tashmë mbetet për t’u parë nëse ky ritëm i rritjes do të vazhdojë edhe në tremujorët e ardhshëm dhe nëse rezultatet e rritjes ekonomike do të reflektohen më tej në ekonominë dhe standardin e jetesës së qytetarëve. (koha.mk)





