Maqedonia feston, Qendra Shqiptare në Shkup nuk u hap kurrë

Nga 3 deri më 6 shtator, Shqipëria pret “Javën e Kulturës Maqedonase”, me aktivitete në Tiranë, Durrës dhe Korçë dhe me mbështetje edhe nga institucionet shqiptare. Shqipëria financon një aktivitet të organizuar nga një institucion maqedonas që funksionon në Tiranë, ndërsa institucioni shqiptar që duhej të funksiononte në Shkup, mbi bazën e marrëveshjes së vitit 2019, nuk ekziston

Evis HALILI

Shkup, 4 shtator – Nga 3 deri më 6 shtator, Tirana, Durrësi dhe Korça do të presin “Javën e Kulturës Maqedonase”, një program përmes të cilit Maqedonia e Veriut do të prezantojë muzikën, artin, folklorin, poezinë dhe traditën e saj. Programi përfshin koncerte të Orkestrës Ajga dhe Ansamblit Kon Tempora, shfaqje folklorike, poezi, teatër, ekspozitë fotografike nga Prespa, performanca DJ, si dhe promovime të verërave, rakisë dhe birrës maqedonase, shkruan gazeta KOHA.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, aktivitetet organizohen nga Qendra Kulturore-Informative e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë dhe mbështeten nga MKT e Maqedonisë së Veriut, Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Shqipëri dhe Ministria shqiptare e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Por pas kësaj jave festive fshihet një kontrast i fortë institucional: një marrëveshje dypalëshe parashikoi dy qendra kulturore, ndërsa në terren ekziston vetëm njëra.

MARRËVESHJA E VITIT 2019

Në vitin 2019, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut lidhën marrëveshjen për krijimin e Qendrave Kulturore-Informative në të dy vendet. Dokumenti, i nënshkruar më 2 gusht 2019, përcaktonte krijimin e një qendre në RMV dhe një tjetër në RSH. Teksti e vendos qartë reciprocitetin në themel të këtij bashkëpunimi. Palët angazhoheshin t’i ofronin njëra-tjetrës ndihmë për gjetjen e ambienteve, ndërtesave ose tokës për funksionimin e qendrave. Qendrat do të ishin struktura shtetërore dhe do të mund të organizonin ekspozita, koncerte, shfaqje filmash, aktivitete letrare e shkencore dhe veprimtari të tjera kulturore.

NJËRA QENDËR U HAP, TJETRA JO

Shqipëria financon një aktivitet të organizuar nga një institucion maqedonas që funksionon në Tiranë, ndërsa institucioni shqiptar që duhej të funksiononte në Shkup, mbi bazën e së njëjtës marrëveshje, nuk ekziston. Maqedonia e Veriut e realizoi pjesën e saj të marrëveshjes. Qendra Kulturore-Informative maqedonase në Tiranë u hap në vitin 2021 dhe gjatë viteve ka organizuar dhjetëra ekspozita, koncerte, shfaqje dhe aktivitete të tjera. Sot, ajo është aq aktive sa organizon një program të shtrirë në tre qytete shqiptare. Dhe kjo ndodh në një kohë kur Shkupi po e shton vëmendjen ndaj komunitetit maqedonas në Shqipëri.

Deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoskit gjatë vizitës në Prespë dhe përplasja e tyre me qëndrimet e Tiranës e kanë rikthyer çështjen e identitetit maqedonas në Shqipëri në vëmendjen politike. Në këtë panoramë, “Java e Kulturës Maqedonase” është më shumë se një kalendar koncertesh dhe ekspozitash.

Ajo tregon se sa e konsoliduar është prania institucionale dhe kulturore e Maqedonisë së Veriut në Shqipëri. Ndërkohë, Shqipëria ende nuk ka një strukturë të barasvlefshme në Shkup, edhe pse ajo ishte parashikuar dhe pranuar me marrëveshje. Dokumenti i vitit 2019 fliste për dy qendra. Realiteti i vitit 2026 tregon vetëm njërën. Në Tiranë, qendra është hapur dhe aktivitetet vazhdojnë. Në Shkup, marrëveshja ende nuk ka gjetur një adresë. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm