Dosjet e SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës, operacione policore, disa raporte të KLSH dhe investigime mediatike e vizatojnë Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) si institucionin më të korruptuar në Shqipëri, pavarësisht arrestimeve të herëpashershme, denoncimeve mediatike, auditimeve të shpeshta të KLSH, rekomandimeve dhe ndryshimit të drejtorëve.
I quajtur ndryshe si Fondi i Oligarkëve, për shkak se çdo drejtues ka ndjekur interesat korruptive të një rrethi biznesmenësh në shëndetësi, FSDKSH ka ndryshuar të paktën 14 drejtorë në 13 vitet e fundit.
Ata janë Astrit Beci, Milva Ekonomi, Vjollca Braho, Erion Manohasa, Alketa Hila
Eduard Ahmeti, Anila Denaj, Adela Xhemali, Rudina Degjoni, Elisa Bërziu, Albana Çela, Spartak Zekja, Arti Papajani dhe drejtori aktual Ilir Topi, i cili disa ditë më parë ka firmosur firmosur rikthimin e një kontrate me natyrë korruptive për një kompani, e dyshuar nga Prokuroria e Tiranës për krijimin e një skeme mashtruese me rimbursimin e medikamenteve në vlerën 700 mijë euro.Krahas skemave sistematike në bashkëpunim me farmacitë dhe depot farmaceutike me rimbursimet fiktive, ilaçe të skaduara, kontrabandën, monopolet, skemave të mashtrimit etj.
Drejtuesit e FSDKSH kanë mundësuar edhe zbardhimin e deformuar të kontratave të katër koncensioneve në shëndetësi, hemodializa, check-up-it, laboratorëve dhe sterilizimit, të certifikuara si korruptive nga KLSH dhe pjesërisht nga gjykata, ndërsa që të gjitha të dyshuara si korruptive nga SPAK.
FSDKSH, sipas dosjeve të SPAK dhe raporteve të KLSH kanë paguar përfituesit e këtyre koncensioneve për punë të pakryera.Para emërimit në krye të FSDKSH, kandidati duhet të pranojë disa kushte, pasojat penale të mundshme dhe sigurisht përfitimet. Kushtet përfshijnë intereset korruptive të rrethit të biznesmenëve në dëm të buxhetit të shtetit dhe dhe shëndetit të shqiptarëve.
Nuk ka asnjë mundësi që i piketuari të emërohet në krye të Fondit pa pranuar paraprakisht se do të finalizojë aferat korruptive të diktuara nga linjat e interesit që po i mundëson emërimin.Zakonisht, oligarku që dikton drejtorin e Fondit, i jep atij njëfarë garancie për një proces sa më të lehtë penal dhe mbulim të pasurive, produkt i aferave korruptive. Kjo është edhe arsyja se pse pothuajse të gjithë ish drejtorët e FSDKSH janë me dosje penale, por asnjëri prej tyre nuk ka bërë burg.
Shumica e drejtorëve të FSDKSH kanë një pasuri me vlerë miliona euro, ndërsa besohet se pjesën më të madhe të pasurisë e kanë kamufluar në emër të njerëzve të besuar.
FSDKSH si organizatë kriminale, mbulon barnat e skaduara të depove farmaceutike
Një tjetër raport prej 413 faqesh i Kontrollit të Lartë të Shteti konfirmon edhe një herë se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor vijon të mbetet një institucion që gjeneron abuzime, skema korruptive, mashtrim dhe pazare me shëndetin e shqiptarëve, pavarësisht arrestimeve të herëpashershme, denoncimeve mediatike, auditimeve të shpeshta të KLSH dhe ndryshimit të drejtorëve, 11 drejtorë në 13 vite.
Skema vijon të mbetet e njëjtë. Kupola e FSDKSH-ja favorizon dhe mbulon abuzimet, kontrabandën dhe mashtrimet e depove farmaceutike dhe farmacive, ndërsa ndajnë bashkë paratë produkt i aktivitetit kriminal në dëm të shëndetit të shqiptarëve. Sipas KLSH-së, Drejtoria e Kontrollit pranë Fondit ka shmangur kontrollin dhe dokumentimin e datës së skandencës së ilaçeve në depot farmaceutike, duke krijuar hapësira për mbajtjen dhe tregtimin e barnave të skaduara, analizon Prapaskena.
“Nga auditimi i raport kontrolleve të ushtruar në depot farmaceutike nga Drejtoria e Kontrollit, u konstatua se në procesverbalin nr. 2, të hartuar për qëllime të inventarizimit fizik gjatë ditës së kontrollit, për barnat e evidentuara në gjendje është regjistruar
vetëm sasia fizike, ndërsa mungon dokumentimi i datës së skadencës për secilin prej tyre.
Mosdokumentimi i datës së skadencës për barnat e inventarizuara përbën një mangësi thelbësore në procesin e kontrollit, pasi bën të pamundur vlerësimin objektiv të disponibilitetit efektiv të barnave në përputhje me kërkesat e nenit 5 të kontratës së lidhur ndërmjet palëve. Si rezultat, bëhet i pazbatueshëm vlerësimi mbi përmbushjen e detyrimeve kontraktuale lidhur me sigurimin e gjendjeve minimale të kërkuara për alternativat e para dhe të vetme të barnave të përfshira në LBR, duke ndikuar negativisht në transparencën, saktësinë dhe besueshmërinë e analizës së disponibilitetit të barnave si dhe në cilësinë e procesit të kontrollit“, thuhet ne raport.
Që nga shtatori i vitit 2023 deri në shtator 2025, FSDKSH është drejtuar nga Spartak Zekja, i arrestuar nga Prokuroria për skema mashtruese me ilaçet, një përfaqësues i kartelit të ilaçeve në Shqipëri, madje ish pronar i depove farmaceutike dhe një kompanie që ka përfituar edhe para publike.
Ish kreu FSDKSH Spartak Zekja që duhet të kontrollonte veprimtarinë e depove dhe kompanive farmaceutike është themelues i kompanisë farmaceutike Distributor of Medical Devices Group shpk, kompani e cila ka edhe depo farmaceutike. Për të evituar konfliktin e interesit gjatë drejtimit të Fondit, Zekja ia ka kaluar aksionet e kompanisë Matteo Shehut.
Një burim pranë FSDKSH tha se kompania e Zekjas është imune ndaj çdo kontolli dhe ka dorë të lirë për dallavere me barnat, ndërsa ish drejtori dyshohet për lidhje korruptive me disa bosë të ilaçeve në Tiranë. Në nëntor 2025, Prokuroria e Tiranës arrestoi Spartak Zekjan me disa persona të tjerë. Hetimet zbuluan një skemë mashtrimi me inventarë dhe fatura fiktive për barnat “Foster” dhe “TrimbË”, përmes të cilës përfitoheshin fonde të rimbursimit nga FSDKSH në vlera të mëdha.
Në qendër të skemës ishte një kompani private në bashkëpunim me subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” dhe me zyrtarë të Fondit. Megjithatë, Çausholli, i dënuar më parë për skema mashtruese, i shpëtoi ndëshkimit, ndërsa Zakja doli disa ditë më pas nga burgu.
Albana Çela, nyja e aferave korruptive
Kontrolli i Lartë i Shtetit, përmes disa raporteve, ka identifikuar pothuajse të gjithë kupolën e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor si përgjegjës për batërdinë e depove farmaceutike, mjekëve dhe farmacistëve me ilaçet e rimbursueshme.KLSH ka rekomanduar shkarkimin e Albana Çelës, e cila ka drejtuar FSDKSH gjatë periudhës 2020-2023. Por, Albana Çela (Adhami), që nga shtatori i vitit 2023, u zëvëndësua nga Spartak Zekja, gjithashtu një përfaqësues i kartelit të ilaçeve në Shqipëri, madje ish pronar i depove farmaceutike dhe një kompanie që ka përfituar edhe para publike.
Albana Çela (Adhami) është lidhje e ngushtë e Ogerta Manastirliut, ish ministre e Shëndetësisë, me dosje në SPAK për aferat në shëndetësi. Drejtoreshat e Fondit janë diktuar nga oligarkëy përmes Manastirliut, e cila ka qenë kryetare e Këshillit Administrativ të Fodit, për periudhën 2017- 2023, në cilësinë e ministres së Shëndetësisë.Albana Adhami është një nga xhepat më të thellë të korrupsionit të Ogerta Manastirliut dhe kartelit mafioz të ilaçeve, sektori më fitimprurës në Shqipëri.
Shkresa e Erion Manohasës që rriti koston e sterilizimit. Pajisjet 140 mijë lekë u përdorën në vend të veglave 3 mijë lekë
Ashtu si edhe për shumë çështje të tjera me interes të lartë publik, edhe për çështjen e sterilizimit janë thënë gjysmë të vërteta, duke fshehur dhe deformuar të vërtetën, me sa duket për interesa të caktuara. Është raportuar për rritjen e kostos së shërbimit në mënyrë abuzive.
Po si është rritur kostoja?
Kush është implikuar me firmë dhe kush ka përfituar?
Kjo shkresë e datës 16 mars 2017, mban firmën e Erion Manohasës, në atë kohë drejtor i Përgjithshmëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Manohasa njofton QSUT-në që shërbimi i sterilizimit të nivelit të lartë dhe të kushtueshëm duhet të shtrihet përtej sallave të operacioneve, duke mbuluar çdo material ambulator të sterilizuar me avull apo me temperaturë të ulët, që përdoret për mjekim plagësh, ndërrim fasho, prerje të lehta etj. Pra, shkresa konsiston në përdorimin e shërbimit të sterilizimit si për një operacion në sallë ashtu edhe për të hequr ca penjë apo ndërruar një plagë, duke rritur koston. Konkretisht setet e pajisjeve do të përdoreshin si në sallat e operacioneve, ashtu edhe jashtë tyre.
Kontrata sterilizimit parashikonte 5 lloje shërbimesh.
- Instrumentet e sterilizuara për ndërhyrjet me kompleksitet të lartë, me vlerë rreth 400 mijë lekë për paketim.
- Instrumentet e sterilizuara për ndërhyrjet me kompleksitet të mesëm me çmim 220 mijë lekë të vjetra për paketim.
- Instrumentet e sterilizuara për ndërhyrjet me kompleksitet të ulët me vlerë 140 mijë lekë.
- Paketimet me avull, për ndërhyrje minimale jashtë sallave të operacionit, me vlerë rreth 3 miljë lekë ose 3 USD.
- Paketimet me temperaturë të ulët për ndërhyrje minimale jashtë sallave të operacionit, me vlerë rreth 10 mijë lekë ose 10 USD.
Urdhëri i Manohasës parashikon që nivelin 3 me kosto 140 mijë lekë të përdorej në vend të nivelit 4 për ndërhyrje minimale me kosto 3 mijë lekë të vjetra.Në vend që të paguhej 3 USD për paketim, paguhej 140 USD për paketim sepse mjekëve u ndalohej të përdornin paketimet me avull dhe ato me temeperaturë të ulët nga urdhri i Manohasës.Në 15 gusht 2018, pra 18 muaj më vonë, drejtori i ri i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Eduart Ahmeti hodhi poshtë shkresën e Manohasës të marsit 2017, që rriste koston e shërbimit.Eduart Ahmeti urdhëron që setet e pajisjeve për të tre shkallët e kompleksiteteve (të lartë, të mesëm dhe të ulët) të përdoren vetëm në sallat e operacionit, për shkak të kostos. Nuk ka logjikë që një set me vlerë 140 mijë lekë të përdorej, për shembull, për të hequr penjtë apo mjekuar një plagë.Gjatë konsumimit të këtij abuzimi në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë Ogerta Manastirliu, e cila ka futur ‘kokën në rërë’.






















