– Në Evropë qeveritë ndërhyjnë për të mbrojtur qytetarët, ndërsa në Shqipëri qytetarët lihen të përballojnë vetëm faturën.
-Bashkimi Evropian u kërkoi shteteve të përdorin rezervat strategjike dhe instrumentet fiskale për të mbrojtur ekonominë.
-Një vend që disponon burime nafte, përfundon duke paguar karburantin me çmime ndër më të lartat në Evropë
-Shqipëria, asnjë paketë lehtësuese, asnjë ulje të përkohshme taksash, asnjë mbështetje për transportin, fermerët apo bizneset,
– Mjafton të rritet çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare dhe menjëherë shtrenjtohet karburanti, transporti, ushqimet, prodhimi, bujqësia dhe çdo shërbim tjetër
– Ekonomia botërore funksionon si një zinxhir: nis me prodhimin e lëndëve të para, vazhdon me përpunimin, transportin, shpërndarjen dhe përfundon te konsumatori.
NakoPetro- ish drejtor i UPTHNB
Sa herë që Lindja e Mesme futet në krizë, shqiptari e ndjen menjëherë në xhepin e tij. Mjafton të rritet çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare dhe menjëherë shtrenjtohet karburanti, transporti, ushqimet, prodhimi, bujqësia dhe çdo shërbim tjetër. Por kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, diferenca është se në Evropë qeveritë ndërhyjnë për të mbrojtur qytetarët, ndërsa në Shqipëri qytetarët lihen të përballojnë vetëm faturën. Serbia kufizoi eksportet e karburanteve dhe përdori rezervat shtetërore për të stabilizuar tregun, Bosnja uli akcizën. Gjermania uli përkohësisht taksat mbi karburantet, Italia financoi ulje të çmimit deri në 25 cent për litër. Greqia vendosi kufizime mbi fitimet e tepërta dhe forcoi kontrollin ndaj tregut. Bashkimi Evropian u kërkoi shteteve të përdorin rezervat strategjike dhe instrumentet fiskale për të mbrojtur ekonominë. Po Shqipëria, asnjë paketë lehtësuese, asnjë ulje të përkohshme taksash, asnjë mbështetje për transportin, fermerët apo bizneset, përkundrazi, qytetarëve u shtohet edhe një kosto tjetër, markimi i detyrueshëm i karburanteve. Sot mbi çmimin e çdo litri karburant rëndojnë akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja. Vetëm taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër, një barrë që nuk ekziston në këtë formë në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Shqipëria konsumon rreth 700 milionë litra karburant në vit, vetëm pezullimi përkohësisht i taksës së qarkullimit do t’u linte qytetarëve dhe bizneseve afro 18.9 miliardë lekë, ose rreth 190 milionë euro në vit. Edhe një ulje prej vetëm 10 lekësh për litër do të kursente rreth 70 milionë euro. Këto nuk janë para të humbura, janë para që do të mbeteshin në ekonominë shqiptare, do të ulnin kostot e transportit, çmimet e ushqimeve, shpenzimet e fermerëve dhe të industrisë. Qeveria justifikohet se nuk mund të ndërhyjë në çmim, askush nuk kërkon të ndërhyjë në bursë se nuk eshte ne doren e saj, ajo që kërkohet është të bëjë atë që bëjnë vendet evropiane, të ulë përkohësisht barrën fiskale kur tregjet ndërkombëtare janë në krizë. Nëse shteti nuk mund të ndikojë te çmimi i naftës Brent, ai mund të ndikojë te taksat që vendos vetë. Nëse Italia, Gjermania, Greqia, Serbia apo Bosnja gjejnë mënyra për të ndarë barrën me qytetarët, pse Shqipëria nuk e bën? Përgjigjja duket e thjeshtë, sepse çdo rritje e çmimit të karburanteve sjell më shumë të ardhura në arkën e shtetit nga TVSH-ja dhe taksat, ndërsa qytetarët paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë. Në fund të fundit, pyetja nuk është pse është shtrenjtuar nafta , por pse në Evropë krizat përballohen bashkë nga shteti dhe qytetarët, ndërsa në Shqipëri paguajnë vetëm qytetarët? Një qeveri matet jo kur çmimet bien, por kur tregjet ndërkombëtare tronditen, atëherë shihet nëse zgjedh të mbrojë qytetarët apo të mbrojë të ardhurat e veta fiskale, deri më sot, Shqipëria ka zgjedhur këtë të dytën.
Ing. Edmond Berisha
“DIGJU NAFTA E ATDHEUT!” – NJË THIRRJE QË VLEN EDHE SOT
Në mbrojtje të Republikës së Shqipërisë, të pasurive tona natyrore dhe mbi të gjitha në mbrojtje të konsumatorit, të popullit të raskapitur që sot po paguan mbi2 mijë lekë (vjetra) për një litër naftë, ndërsa tendenca e çmimeve mbetet në rritje. Shqipëria është një vend me pasuri të konsiderueshme nëntokësore. Sipas hartave gjeologjike, pjesë të mëdha të territorit shqiptar janë zona me potencial naftëmbajtës. Por paradoksi është i madh: një vend që disponon burime nafte, përfundon duke paguar karburantin me çmime ndër më të lartat në Evropë. Ku është logjika? Ku është interesi kombëtar? Ku është mbrojtja e konsumatorit shqiptar? Kjo situatë të sjell ndër mend një histori të vjetër të naftëtarëve shqiptarë. Kur në Drenov shpërtheu një nga fontanat e fuqishme të naftës dhe situata u kthye në katastrofë, thuhet se Mehmet Shehu, pasi pa nga afër përmasat e ngjarjes, u shpreh: “Digju nafta e Atdheut, Shqipëria nuk ka zot!” Edhe pse kjo është një shprehje që i përket një tjetër kohe, sot ajo tingëllon si një kambanë alarmi. Sepse çfarë po ndodh sot? Nafta shqiptare nxirret nga nëntoka jonë, ndërsa qytetari shqiptar paguan çmime marramendëse për karburantin. Në vend që pasuria natyrore të shërbejë si një nga burimet kryesore të zhvillimit dhe mirëqenies së vendit, qytetari përballet çdo ditë me një barrë të rëndë mbi buxhetin familjar. Dhe ndërsa nafta del nga nëntoka shqiptare, 12 vagonë me naftë udhëtojnë nga qyteti X drejt qytetit Y, me destinacion të paqartë, pa adresë të dukshme për qytetarin. Atëherë lind pyetja e madhe: Kujt i përket nafta e Shqipërisë? Kujt i shërben pasuria jonë natyrore? Pse konsumatori shqiptar duhet të paguajë kaq shtrenjtë një produkt që del nga toka e këtij vendi? Nuk mjafton të kemi pasuri nëntokësore. Duhet të kemi edhe transparencë, kontroll shtetëror, interes kombëtar dhe mbrojtje reale të konsumatorit. Shqiptari nuk mund të jetë gjithmonë ai që paguan faturën. Nëse nafta është pasuri kombëtare, atëherë edhe përfitimi prej saj duhet të jetë në funksion të ekonomisë shqiptare dhe mirëqenies së qytetarëve. Prandaj, sot, ajo thirrje e vjetër merr një kuptim tjetër: “Digju nafta e Atdheut!” Por sot duhet shtuar edhe një pyetje: Kush po përfiton nga kjo naftë dhe kush po paguan koston? Sepse Shqipëria nuk është pa pasuri. Problemi është se shpesh duket sikur pasuria është e madhe, por qytetari mbetet i varfër. Dhe kjo është një çështje që kërkon përgjigje publike, transparencë dhe llogaridhënie.
ENERGJIA ËSHTË ÇELËSI I EKONOMISË, SHTETI NUK MUND TË QËNDROJË SPEKTATOR
Nikollaq Gjergji
Ekonomia e çdo vendi është në varësi të drejtpërdrejtë nga konsumi dhe sigurimi i energjisë në format e ndryshme. Në ekonomitë moderne, një rol qendror vazhdojnë ta luajnë karburantet, krahas gazit natyror, qymyrit dhe energjisë elektrike. Kur një vendi i mungon energjia e nevojshme, sado moderne të jenë industria, bujqësia apo transporti, prodhimi ngadalësohet, reduktohet ose, në raste të caktuara, ndalon. Dhe kur ndalon prodhimi, dëmtohet e gjithë ekonomia. Ekonomia nuk kërkon thjesht “energji” në kuptimin abstrakt. Ajo kërkon formën konkrete të energjisë për të cilën janë projektuar makineritë dhe proceset e prodhimit. Një automjet që funksionon me benzinë nuk mund të punojë me qymyr apo dru. Një kamion që është projektuar për naftë nuk mund të zëvendësohet brenda natës me një burim tjetër energjie. E njëjta gjë ndodh me makineritë bujqësore, anijet e peshkimit, mjetet e transportit dhe pajisjet industriale. Edhe industria e rëndë është e lidhur me këtë realitet. Një kompleks metalurgjik, për shembull, kërkon forma të ndryshme energjie në faza të ndryshme të prodhimit. Nëse mungon energjia elektrike, ndalojnë elektromotorët dhe pajisjet. Nëse mungon karburanti, ndalojnë mjetet që transportojnë lëndët e para. Nëse mungon lënda energjetike e nevojshme për proceset teknologjike, bie ose ndalon prodhimi.Pra, energjia është një nga çelësat themelorë të funksionimit të ekonomisë.Kjo do të thotë se sigurimi i saj nuk mund t’i lihet vetëm rastësisë apo mekanizmave të pakontrolluar të tregut. Kërkohet planifikim, parashikim, ekspertizë dhe mbi të gjitha një shtet funksional, i aftë të garantojë vazhdimësinë e jetës ekonomike të vendit.
Varësia nga importi është edhe varësi strategjike
Problemi bëhet edhe më i ndërlikuar kur energjia sigurohet nga importi. Në këtë rast, një ekonomi nuk varet vetëm nga mundësitë e saj financiare, por edhe nga tregjet ndërkombëtare, prodhuesit, transporti, kontratat, krizat gjeopolitike dhe luhatjet e çmimeve. Ekonomia botërore funksionon si një zinxhir: nis me prodhimin e lëndëve të para, vazhdon me përpunimin, transportin, shpërndarjen dhe përfundon te konsumatori. Në çdo hallkë të këtij zinxhiri energjia është e domosdoshme. Nëse një hallkë goditet nga rritja e çmimit të karburantit, pasojat nuk mbeten vetëm te pikat e karburantit. Ato përcillen te transporti, prodhimi industrial, bujqësia, peshkimi, ndërtimi, tregtia dhe në fund te çmimi që paguan qytetari. Kjo është arsyeja pse çmimi i karburantit nuk është thjesht një çështje private mes tregtarit dhe konsumatorit. Është një çështje e ekonomisë kombëtare.
Çfarë roli duhet të ketë shteti?
Një shtet funksional nuk mund të mjaftohet vetëm me mbledhjen e taksave dhe vendosjen e tarifave. Qeveria duhet të shohë pasojat zinxhir të politikave të saj. Nëse çmimi i karburantit rritet ndjeshëm, rritet kostoja e transportit. Me rritjen e transportit rritet kostoja e prodhimit dhe shpërndarjes. Kjo përkthehet në çmime më të larta për ushqimet, produktet bujqësore, mallrat e konsumit dhe shërbimet. Pra, karburanti i shtrenjtë ushqen inflacionin dhe godet drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve. Për këtë arsye, shtetet në situata të caktuara kanë përdorur politika mbështetëse, subvencione, lehtësime fiskale ose mekanizma të tjerë për të amortizuar goditjet e forta të çmimeve të energjisë dhe për të mbrojtur ekonominë. Kjo nuk do të thotë se shteti duhet të zëvendësojë tregun. Do të thotë që shteti duhet të mbrojë funksionimin e ekonomisë dhe interesin publik kur tregu prodhon pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.
Taksa mbi taksa dhe çmime pa frena
Në këtë kuadër, lind një pyetje e rëndësishme për politikëbërësit shqiptarë: A e kuptojnë se çmimi i lartë i karburantit nuk godet vetëm shoferin që shkon në pikën e karburantit? Ai godet fermerin që punon tokën. Godet peshkatarin. Godet transportuesin. Godet industrinë. Godet tregtarin. Godet prodhuesin. Dhe në fund godet konsumatorin. Prandaj, kur bizneset e karburanteve lejohen të vendosin çmime pa një kontroll efektiv të tregut, ndërkohë që mbi karburantin rëndojnë edhe taksa e tarifa të ndryshme, efekti përfundimtar mund të jetë një barrë e rëndë mbi të gjithë ekonominë. Shteti duhet të sigurojë konkurrencë reale, transparencë të tregut dhe mbrojtje të konsumatorit. Tregu i lirë nuk do të thotë treg pa rregulla. Nëse shteti mbledh të ardhura nga karburantet, duhet njëkohësisht të mendojë edhe për koston që kjo politikë i imponon ekonomisë. Sepse një qeveri nuk mund ta masë suksesin vetëm me atë se sa taksa mbledh. Duhet ta masë edhe me atë se sa prodhon ekonomia, sa punë krijohen, sa mund të blejë qytetari dhe sa konkurruese mbeten bizneset shqiptare. Nëse politikat fiskale dhe çmimet e energjisë e bëjnë prodhimin shqiptar më të shtrenjtë, atëherë vendi humbet konkurrueshmërinë. Dhe kur humbet prodhimi, humbasin vendet e punës, të ardhurat dhe mirëqenia.
Energjia nuk është luks. Është oksigjeni i ekonomisë.
Prandaj Shqipëria ka nevojë për një politikë energjetike të menduar në perspektivë, për diversifikim të burimeve, për shfrytëzim më të mirë të pasurive të saj natyrore, për mbrojtje të konsumatorit dhe për një shtet që nuk qëndron spektator përballë krizave të tregut. Një shtet funksional nuk është vetëm ai që mbledh taksat. Është ai që garanton se ekonomia mund të punojë.






















