Diçka po shkon keq e më keq; në Shqipëri dhe në Kosovë. Qofsha i gabuar, por pamjet andej e këtej, sado të ndryshme, ngjajnë si dy pika uji.
Po ndodh më e çuditshmja në Kosovë, më e papranueshmja: Partitë politike dhe krerët e tyre nuk bëjnë dot institucionet kryesore të vendit, kanë shkuar disa herë në zgjedhje të parakohshme, po habisin Ballkanin dhe Evropën me tekat dhe foshnjërinë e tyre politike, duke përkëdhelur ndërkaq orekset e fqinjëve dhe teoritë famëkeqe sipas të cilave shqiptarët nuk janë në gjendje të bëjnë shtet.
Dhe kjo situatë u dashka lënë në duart e disa politikanëve që janë thjesht inatçinj e dritëshkurtër (?!) (“Njerëzit e vegjël dallohen lehtë, sepse ata gjithmonë përpiqen të tregojnë se sa të mëdhenj janë.”V. Hygo)
Po ndodh gjithaq më e çuditshmja dhe më e papranueshmja në Shqipëri: Për gati tre muaj po zhvillohen protesta të përditshme kundër Qeverisë, Kryeministrit dhe gjithë klasës politike të këtij tranzicioni pa fund, me motive që janë shkruar gjithkund, patjetër edhe në këtë gazetë të nderuar dhe që janë: korrupsioni, arroganca qeverisëse, mungesa e thellë e besimit…
Dhe prapë, teksa shohin dhe ndjejnë ngërçin, bota dhe ata që s’e kanë dashur asnjëherë këtë vend, mund të nxjerrin nga sëndykët e vjetër tezat shoviniste e fyese, sipas të cilave… Këtë e thamë njëherë.
Shumë gjëra i kemi thënë, një herë e shumë herë. U tha (përndryshe, u premtua) që qeveritë e dy vendeve – nuk më shkon kjo “e dy vendeve” – do të mblidheshin rregullisht, për të bashkërenduar orientimet apo prirjet kombëtare dhe ato evropianiste. Jo vetëm që s’u pa një gjë e tillë, por përkundrazi, krerët shkojnë si macja me miun. Dhe vetëm me raste, e shfaqin ndonjë sforcim në temën përkatëse, sado që mitin e propagandës e njohin shumë mirë. (“Të besosh te progresi, nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.” F. Kafka)
Duhet të jemi të sinqertë. Vendet tona nuk po arrijnë ta kthejnë konfliktualitetin politik në debat apo përpjekje për alternativa më të mira. Vendet tona nuk po shpëtojnë dot as nga e shkuara komuniste dhe as nga mallkimet antikomuniste, për të ardhur me bindje dhe qytetari në kohët moderne. Vendet tona aplikojnë me të tjerët – për çudi, me të mëdhenj e me të vegjël – praktika servile dhe të shëmtuara. Ministrja serbe flet sikur të kish dalë nga mënga e Çubrilloviçit; dhe në dheun-amë, reagimi është minor. Shikoni çfarë ndodhi me atë “të përvuajturin” që drejton Ukrainën: S’e njohim Kosovën (!) Kurse ne, politikanët tanë, i blatojnë atij nderime, duke u shtirur si liderë të mëdhenj, të tillë që… japin verdiktin e paqes dhe të së drejtës; kudo e kurdoherë. (Oops!)
Diçka po shkon keq e më keq. Është thënë jo njëherë, u hap ky shënim me këto fjalë, por i përsërisim sepse ashtu duhet: Nuk mund të ecet më kështu; në vendet respektive, veç e veç, dhe në të njëjtin komb njëherësh. Ka ardhur koha që kriza(t) mbarëshqiptare të menaxhohen më mirë. Dhe për këtë, lipset një politikë mbarëkombëtare ndryshe, një tjetër politikë mbarëkombëtare.
(Që në fakt, gjer më sot, nuk është fare.) Egoizmi i padurueshëm i krerëve dhe pazaret e tyre të fëlliqura, me të vetët dhe me tjerët, në njëlloj favorizimi edhe nga situata delikate në mjedisin euro-atlantik, e kanë vënë seriozisht në pikëpyetje pikësynimin historik të shqiptarëve. Ata vazhdojnë ta ëndërrojnë demokracinë dhe Evropën; por jo si qytetarë gjysmakë; dhe as duke u zvarritur nëpër “vijat” e kthyera në gjemba nga burokratët dhe snobët e BE-së. Ishte fjala për t’u qasur sa më shumë në standartet e Europës, në mënyrën e jetesës dhe të qeverisjes atje. Kaq. (“Ëndrrat e mia ishin modeste dhe s’kërkonin shumë mund për t’u realizuar.” N. Mahfuz)
Si thuhet zakonisht: e mira dhe e keqja, motër e vëlla. Së fundi, provokimi serb në lidhje me rrjedhën e lumit Ibër, duket se po i tund shqiptarët dhe liderët e tyre. Mbase po u kthjellohet pamja e munguar e vendeve të tyre në përçarje e në agoni; dhe mbase do lëvizin të gjithë, andej e këtej, për ta ndryshuar sadopak historinë që treguam. Të gjithë (!) Kjo ha diskutim…






















