Në kërkim për një seri vjedhjesh, arrestohet për llogari të Italisë shqiptari me 7 identitete

Një 42-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim prej vitit 2022 për një seri vjedhjesh të kryera në Itali, është arrestuar në aeroportin “Fiumicino” të Romës.

Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet D.M.A., i lindur në vitin 1984, i cili duhet të vuajë një dënim prej 5 vitesh, 9 muajsh e 5 ditësh burg, si dhe një gjobë prej 1,640 eurosh.

Sigal

Sipas të dhënave të hetimit, 42-vjeçari ishte fshehur për vite me radhë në zonat malore të Shqipërisë lindore, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, me qëllim shmangien e drejtësisë italiane.

Vendndodhja e tij u identifikua nga ekipi Catturandi i njësisë hetimore të Repartit Operativ të Komandës Provinciale të Karabinierëve të Pordenones. Pas konfirmimit të vendndodhjes, autoritetet italiane vijuan me procedurat për ekzekutimin e vendimit të drejtësisë.

Më 11 mars, shqiptari u arrestua nga autoritetet shqiptare në portin e Durrësit. Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, ai u shoqërua nga personeli i shërbimit për bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe u nis drejt Italisë me një fluturim nga Rinasi.

Gjatë aktivitetit të tij kriminal, shqiptari dyshohet se kishte përdorur të paktën shtatë identitete të ndryshme për t’iu shmangur kontrolleve të autoriteteve.

Në vitin 2016, kur u ndalua nga karabinierët në Caorle, atij iu gjet një kartë identiteti rumune e falsifikuar. Për këtë rast, ndaj tij u ngrit edhe akuza për posedim dhe falsifikim dokumentesh.

Vjedhjet për të cilat është dënuar janë kryer kryesisht në zonat turistike të Lignano Sabbiadoros, në provincën e Udines, dhe Caorles, në provincën e Venezias.

Sipas hetimeve, ai kishte vepruar në banesa pushimi dhe dhoma hotelesh, duke u përfshirë në të paktën gjashtë raste vjedhjesh. Atij i atribuohet gjithashtu një vjedhje në një banesë në Romë, e kryer në shtator të vitit 2015.

Pas një arratie disa-vjeçare, shqiptari tashmë ndodhet në një burg italian, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga drejtësia italiane.