Nga Beqir Sina
Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd dhe deklarata e menjëhershme e Aleksandar Vuçiçit për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër përbëjnë dy zhvillime të lidhura ngushtë.
Ato hedhën dritë mbi lojën e dyfishtë të Serbisë në rajon. Në Prishtinë dhe Tiranë, këto çështje u trajtuan si shenja të qarta të qëndrimeve kontradiktore të Beogradit ndaj Ukrainës dhe Kosovës.Zelensky shkoi në Beograd për herë të parë si president. Vuçiç e quajti Ukrainën “vend miqësor” dhe përsëriti mbështetjen për integritetin territorial të saj. Një ditë pas takimit, Vuçiç shpalli se Serbia po shqyrton ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, lumin që ushqen liqenin e Ujmanit, infrastrukturë strategjike për furnizimin me ujë, energji dhe ujitje në Kosovë.
Në kontekst të qëndrimeve të Zelenskyt në qershor 2026, Polonia anuloi dekoratën më të lartë shtetërore, Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë, që Zelensky kishte marrë në 2023, për shkak të emërtimit të një njësie ushtarake me emrin e UPA-s. Zelensky e ktheu dekoratën. Ky episod tregoi se edhe aleatët më të afërt kanë kufij kur preken interesat e tyre historike.Në Beograd, Zelensky deklaroi se Ukraina “nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë” pavarësinë e Kosovës, duke u thirrur në ligjin ndërkombëtar dhe respektimin e integritetit territorial të partnerëve. Kjo deklaratë është naive dhe problematike. Në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin këshillues se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare të përgjithshme, as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Gjykata nuk tha troç se Kosova është shtet, por hodhi poshtë argumentin serb se akti i shpalljes ishte i paligjshëm. Bazuar në këtë opinion, mbi 120 shtete, përfshirë fuqitë kryesore, e kanë njohur Kosovën.Duke thënë se “nuk e njohim kurrë” mbi bazën e ligjit ndërkombëtar, Zelensky anashkaloi këtë opinion dhe i dha Vuçiçit një argument të fortë për t’u përdorur politikisht.
Paralelizimi me Krimenë u bë i qëllimshëm. Serbia dhe Rusia e kanë përdorur prej vitesh rastin e Kosovës si precedent për të justifikuar ose relativizuar aneksimin rus të Krimesë dhe Donbasit.
Zelensky, duke e përsëritur në Beograd se pozicioni i tij ndaj Kosovës, mbetet i pandryshuar, forcoi këtë narrativë serbe dhe e bëri më të lehtë për Vuçiçin të paraqesë veten si mbrojtës i integritetit territorial, ndërsa refuzon sanksionet ndaj Rusisë.
Në këtë skemë, qëndrimet pro-europiane të Edi Ramës, duke i veshur vetes kostumin e një lideri botëror europian, i kanë shërbyer Vuçiçit më shumë sesa Kosovës gjatë 12 viteve të tij si kryeministër. Nisma “Open Balkan”, disa iniciativa të përbashkëta dhe letra e përbashkët drejtuar BE-së në shkurt 2026, që kërkonte hyrje në tregun e përbashkët dhe Shengen pa anëtarësim të plotë, i kanë dhënë Beogradit imazhin e partnerit konstruktiv rajonal.
Rama, duke u paraqitur si lider pro-europian që bashkëpunon me Serbinë, i ka krijuar Vuçiçit gjatë dekadës së fundit më shumë hapësirë për të balancuar mes Brukselit dhe Moskës pa u ndëshkuar plotësisht. Kosova shpesh është lënë jashtë këtyre formateve, sidomos kur Rama mund të luante rol përafrimi të Kurtit në samitet për Ukrainën.
Ndërsa Vuçiç e përforcoi këtë në atë konferenc shtypi pas dekleratave “skandaloze” të Zelenskyt duke falënderuar publikisht Zelenskyn, për mosftesën e përfaqësuesve të Prishtinës në ato samite.





















