Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin për mungesën e fondeve dhe pamundësinë për të zgjeruar kapacitetet e tij, duke argumentuar se Ministria e Financave nuk ka miratuar kërkesat për shtimin e numrit të punonjësve. Sipas institucionit, kjo situatë ka ndikuar në aftësinë për të përballuar ngarkesën në rritje të hetimeve dhe monitorimit të tregjeve.
Megjithatë, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah një panoramë të ndryshme për vitin 2025. Raporti tregon se Autoriteti e mbylli vitin me 16.828 milionë lekë buxhet të parealizuar, ku pjesa më e madhe e mosrealizimit lidhej pikërisht me fondin e pagave, si pasojë e organikës së paplotësuar. Pavarësisht se nuk arriti të përdorte të gjitha fondet e miratuara për vitin 2025, institucioni i paraqiti njëkohësisht Ministrisë së Financave kërkesë për 30.803 milionë lekë fonde shtesë për buxhetin e vitit 2026.
Sipas raportit të KLSH-së, buxheti fillestar i institucionit për vitin 2025 ishte 124.25 milionë lekë, por pas rialokimeve dhe ndryshimeve me akt normativ plani përfundimtar u rrit në 138 milionë lekë, ose 13.75 milionë lekë më shumë.
Nga ky fond, në fund të vitit ishin shpenzuar 121.172 milionë lekë, ose 87% e planit të ndryshuar. Diferenca mes planit dhe realizimit rezultoi 16.828 milionë lekë.
Pjesa dërrmuese e mosrealizimit lidhet me fondin e pagave. Nga një plan përfundimtar prej 89.3 milionë lekësh, Autoriteti shpenzoi 76.179 milionë lekë, duke lënë pa përdorur 13.121 milionë lekë. KLSH veçon faktin se fondi i pagave ishte shtuar me 1.15 milionë lekë në fund të vitit, por përsëri rezultoi me një nivel të lartë mosrealizimi.
Edhe shpenzimet operative mbetën poshtë planit. Nga 27.686 milionë lekë të programuara u realizuan 25.957 milionë lekë, me diferencë 1.729 milionë lekë.
Në investime, shpenzimet faktike arritën në 6.353 milionë lekë, kundrejt një plani të ndryshuar prej 7.9 milionë lekësh. Dy projekte nuk u realizuan fare dhe mosrealizimi në investime arriti në 1.547 milionë lekë.
Kontrasti shfaqet në fund të vitit. Me një shkresë drejtuar Ministrisë së Financave, Autoriteti raportoi 16.588 milionë lekë mosrealizime për vitin 2025, ndërsa paraqiti nevoja për 30.803 milionë lekë fonde shtesë për vitin 2026.






















