Dy vatra zjarri janë shfaqur mesditën e sotme në territorin e Kukësit, duke vënë në lëvizje shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e bashkisë.
Një prej vatrave është aktivizuar në Kodrën e Pecës, në fshatin Përbreg, disa kilometra larg qytetit të Kukësit. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë në zonë dhe, sipas të dhënave paraprake, kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll.
Situata paraqitet më problematike në fshatin Zapod, ku një tjetër vatër zjarri është aktivizuar në një zonë të thellë malore. Era e fortë favorizon përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave në terren.
Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse dhe punonjës të Bashkisë Kukës. Në ndihmë të tyre kanë dalë edhe banorët e fshatit, të cilët po punojnë për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.
Ndërhyrja vijon, ndërsa të dyja vatrat po monitorohen nga shërbimet në terren.


