Vatrat e zjarrit në Fier janë vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri. Aktualisht, aktive mbetet vetëm një vatër në Frakull, ndërsa zjarret në Radostinë, Fermë Çlirim dhe Zhupan janë izoluar.
Flakët, të favorizuara nga era e fortë, përparuan me shpejtësi dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme. Dhjetëra hektarë ullishte dhe pyje u përfshinë nga zjarri, ndërsa u dëmtuan edhe banesa dhe stalla blegtorale.
Situata më e vështirë u regjistrua gjatë natës në zonën e Levanit, ku banorët u përballën me përhapjen e shpejtë të flakëve. Disa prej tyre tregojnë se si arritën të largoheshin nga zonat e rrezikuara.
Ende nuk ka një bilanc zyrtar për dëmet, por vlerësimet paraprake në terren flasin për humbje që mund të arrijnë në qindra milionë lekë.
Në zonën Drizë–Vadhizë–Peshtan–Levan, ndërhyrja e forcave tokësore dhe ajrore ka shmangur rrezikun për banesat. Operacioni për monitorimin dhe shuarjen e plotë të vatrave vijon, ndërsa shkaku i zjarrit mbetet ende për t’u përcaktuar.


