Del e vërteta për supermakinat dhe jahtin e Andrew Tate, avokatët thonë se nuk ishin në pronësi të tij

26 Gusht 2026 | 12:36

Influenceri kontrovers Andrew Tate ka ekzagjeruar pasurinë dhe stilin e tij të jetesës në rrjetet sociale, ndërsa disa prej makinave luksoze dhe një jaht me vlerë 50 milionë dollarë të shfaqura në postimet e tij nuk kanë qenë në pronësi të tij. Pretendimi është bërë nga përfaqësuesit e tij ligjorë në një parashtresë drejtuar një gjykate në Florida.

Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan, ndodhen në paraburgim në Florida, ndërsa kërkojnë lirimin me kusht dhe presin përfundimin e procedurave të ekstradimit drejt Britanisë së Madhe.

Dy vëllezërit u arrestuan muajin e kaluar, pasi prokurorët britanikë ngritën 38 akuza të reja ndaj tyre, përfshirë akuza për përdhunim dhe vepra të lidhura me trafikimin seksual. Të dy i mohojnë akuzat.

Prokurorët kanë argumentuar se vëllezërit përbëjnë rrezik për arratisje, duke iu referuar deklaratave të tyre publike për pasurinë, ndikimin dhe mundësinë për të përdorur identitete të ndryshme.

Avokatët e Tate, megjithatë, kanë paraqitur një version tjetër të pasurisë së tij. Sipas tyre, imazhi i një jete jashtëzakonisht të pasur i shfaqur në rrjetet sociale ka qenë pjesë e një strategjie për të tërhequr vëmendje, për të rritur audiencën dhe për të gjeneruar të ardhura.

Në dokumentet drejtuar gjykatës, ata pretendojnë se jahti luksoz i përmendur nga prokurorët nuk ishte në pronësi të vëllezërve Tate. Sipas mbrojtjes, ata ishin paguar për ta promovuar atë.

Të njëjtin argument avokatët e përdorin edhe për disa prej automjeteve luksoze që shfaqeshin në përmbajtjet e Tate. Një Aston Martin dhe makina Bugatti, sipas tyre, ishin marrë me qira dhe nuk përbënin pjesë të pasurisë së tij personale.

Mbrojtja pretendon gjithashtu se një pjesë e deklaratave të ekzagjeruara për pasurinë ishte përdorur për efekt komik dhe për të ndërtuar personazhin publik të influencerit.

Andrew Tate u bë i njohur fillimisht pas pjesëmarrjes në versionin britanik të “Big Brother” në vitin 2016. Ish-kickbokseri më pas ndërtoi një audiencë prej miliona ndjekësish në rrjetet sociale, kryesisht përmes videove ku promovonte një stil jetese të lidhur me makina të shtrenjta, udhëtime dhe pasuri të mëdha.

Aktualisht, Andrew dhe Tristan Tate përballen me gjithsej 59 akuza për vepra të dyshuara që lidhen me periudhën nga korriku 2010 deri në gusht 2017. Të dy vëllezërit i mohojnë akuzat.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Netanyahu kërcënon Iranin: Do të marrë një goditje që as nuk e imagjinon

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me një sulm të fuqishëm nëse ndërmerr ndonjë sulm të ri ndaj Izraelit, ndërsa...
20:33 | 06/09/2026

“Shpresa për paqe”, Witkoff pas takimit në Kiev: Pati bisedime shumë të rëndësishme

I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, i ka cilësuar shumë të rëndësishme bisedimet e zhvilluara në Kiev me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur shpresën...
20:13 | 06/09/2026

Shpërthimi vullkanik bllokon mbi 150 mijë pasagjerë në Indonezi, kërkohet devijimi i fluturimeve

Më shumë se 150 mijë pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në Indonezi, pasi një shpërthim vullkanik detyroi autoritetet të pezullojnë përkohësisht operacionet në tetë aeroporte....
18:00 | 06/09/2026