Rama: Armiqtë e Europës s’kanë nevojë të vijnë me raketa, por po marrin peng mendjet e brezit të ri
Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për atë që e cilësoi si një kërcënim të ri ndaj Europës, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në atë të ndikimit mbi brezin e ri.
Duke folur në Forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, Rama tha se ndërsa Europa po investon shuma të mëdha për mbrojtjen ushtarake, ajo mbetet e pambrojtur përballë ndikimeve që synojnë mendjet e të rinjve.
“Ndërkohë që po derdhim kaq shumë para për armatimet, për të mbrojtur Europën nga raketat, jemi krejtësisht të pambrojtur në mendjen tonë. Armiqtë e Europës e kanë shumë të lehtë të vijnë këtu. Nuk kanë nevojë për raketa, sepse tashmë po përzihen me mendjet e fëmijëve tanë dhe po marrin peng brezin e ri”, tha Rama.
Rama paralajmëroi se Europa duhet të ndërtojë një lloj tjetër “mburoje”, që lidhet me mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe të mendimit të brezit të ri.
“Nuk do të ketë një brez të ri të aftë të ndjekë të gjitha ëndrrat e mëdha të këtij forumi, nëse të gjithë së bashku nuk do të mendojmë për një mburojë për atë hapësirë ku armiqtë, ndërkohë, po trazojnë mendjet e tyre”, tha Rama.
Rama foli edhe për Serbinë ku tha se duhet të jetë pjesë e tryezës europiane, sesa të mbetet jashtë dhe të krijojë një situatë të paqëndrueshme mes Europës, Kinës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
“Serbia është një lloj kafshe shumë interesante dhe e çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor. Çfarë është më mirë? Ta kesh në tryezë dhe t’i thuash: ‘S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap’, apo ta lësh aty, në ujëra të pasigurta, dhe të krijojë një situatë skizofrenike mes Europës, Kinës, Amerikës dhe Rusisë? Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani”, theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




