Çmimet pas anëtarësimit në BE, më lirë apo më shtrenjtë?
Me anëtarësimin në BE, Shqipëria nuk do të ketë më politikën e vet tregtare ndaj vendeve të treta, por do të zbatojë tarifat e përbashkëta europiane. Kjo do të thotë se disa produkte mund të bëhen më të lira, por të tjera më të shtrenjta, në varësi të tarifës së re doganore.
“Kapitulli 30, veçanërisht nën fusha që lidhet me bashkimin doganor dhe me tarifat e përbashkëta doganore bën pjesë në ato që quhen kompetenca të drejtpërdrejta të Bashkimit Europian. Pra, në këtë rast shtetit anëtar nuk i mbetet shumë hapësirë për të negociuar, por duhet të zbatojë të gjitha këto direktiva. Ky është ai momenti që shpesh disa prej ë atyre që e shohin Bashkimin Europian paksa me dyshim është fakti që Shqipëria i duhet të lëshojë një pjesë të sovranitetit të saj. Natyrisht duke përfituar më pas shumë më tepër për shkak të marrëdhënieve që krijohen me vendet anëtare të Bashkimit Europian, ulja e tarifave, taksave dhe kështu me radhë, biznesit të Bashkimit Europian që vjen dhe të investojë shumë më lirshëm në Shqipëri, por edhe biznesi shqiptar që zhvendoset drejt tregjeve të Bashkimit Europian”, tha Geron Kamberi, ekspert i integrimit.
Kroacia, në vitin e hyrjes në BE, pësoi një rritje në çmimet më të ulët se një vit më parë, rreth 2.2%, nga 3.4% një vit më parë, ndërsa ushqimet u shtrenjtuan rreth 4%. Eksperti Geron Kamberi mendon se të gjithë duhet të jenë të përgatitur për situatën e parë.
“Biznesi të bëhet gati, por edhe shteti shqiptar këto produkte të cilat do të kenë një kosto më të rritur në treg për këta këtyre ndryshimeve duhet të ë ketë mundësi që kësaj qasje t’i mbivendoset si të thuash vlera e shtuar e produkteve që do vijnë nga Bashkimi Europian në përputhje dhe me një kapacitet dhe fuqi blerëse që ka konsumatori shqiptar, por natyrisht në fazat e para ne nuk mund ta fshehim që do të ketë një ndikim ndoshta jo shumë të pëlqyeshëm për një pjesë konsumator shqiptar”, tha ai.
Për Shqipërinë, efekti do të varet sidomos nga mallrat e importuara nga vendet e treta.
“Është aspekti parapërgatitor jo vetëm për të gjithë komunitetet e biznesit që preken nga këto marrëveshje, të cilat duhet të rishikohen një pjesë të tyre, do shfrytëzohen dhe do rilidhen me këto vende në bazë të kritereve që ka tashmë Bashkimi Europian”, tha ai.
Ndërkohë, mallrat nga Bashkimi Europian përfitojnë nga një treg edhe më i integruar dhe pa barriera doganore. Konkurrenca më e madhe mund të ulë marzhet dhe çmimet, por efekti real do të varet nga produkti, vendi i origjinës dhe tarifa që do të aplikohet.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




