Dogjën shkurret në tokën e tyre, por flakët dolën nga kontrolle, arrestohet 50-vjeçari në Fier. Një tjetër nën hetim

Dy raste zjarrvënieje janë zbardhur nga Policia në Fier, ndërsa një person është arrestuar në flagrancë dhe një tjetër është proceduar penalisht, pasi dyshohet se ndezën zjarre në tokat e tyre, të cilat dolën jashtë kontrollit.
Rasti i parë u shënua në fshatin Daullas, ku shërbimet e Policisë kapën pranë vatrës së zjarrit shtetasin A. G., 50 vjeç. Sipas hetimeve, ai kishte ndezur zjarr në tokën e tij për të djegur shkurret, por flakët u përhapën për shkak të kushteve të favorshme dhe përfshinë sipërfaqe të mëdha me bimësi.
Për këtë rast, 50-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Një tjetër vatër u konstatua në fshatin Kreshpan, ku Policia identifikoi dhe gjeti pranë zjarrit shtetasin Q. Y.. Ai deklaroi se kishte ndezur zjarr për të djegur mbetjet, por era e fortë bëri që flakët të përhapeshin me shpejtësi dhe të dilnin jashtë kontrollit.
Zjarri rrezikoi edhe disa banesa dhe përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi. Për shkak të moshës, ndaj Q. Y. u vendos procedimi penal.
Materialet për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




