Vendosën lëndë plasëse të lidhur me telefon në Durrës, arrestohen dy persona

Dy persona janë arrestuar në Durrës, pasi dyshohet se janë autorët e vendosjes së një sasie lënde plasëse të lidhur me një aparat telefonik celular
Në pranga përfunduan S. Ç., 47 vjeç, dhe M. T., 46 vjeç, të dy banues në Durrës. Ata dyshohen për përfshirjen në ngjarjen e ndodhur më 28 gusht në lagjen nr. 3 të qytetit, ku u gjet një aparat telefonik i lidhur me lëndë plasëse.
Hetimet kanë çuar në identifikimin e dy të dyshuarve, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe tre telefona celularë, të cilët pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve për të zbardhur më tej rrethanat e ngjarjes.
Dy të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




