Të hysh në një hamam është krejt ndryshe nga të bësh një dush në shtëpi apo të shkosh në një banjë moderne.
Drita e zbehtë që hyn nga kupola, avulli dhe zhurma e ujit krijojnë një atmosferë të veçantë, ndërsa hapësira është menduar që vizitori të kalojë gradualisht nga ambientet e ftohta drejt pjesës së nxehtë të hamamit.
Tradicionalisht, hamami ka të paktën tri pjesë. Fillimisht është dhoma e hyrjes dhe e zhveshjes, ku vizitorët pushojnë.
Më pas vjen një ambient më i ngrohtë dhe, në fund, salla kryesore, ku ndodhet göbek taşı, platforma e ngritur prej mermeri në qendër. Kupolat kanë hapje të vogla që lejojnë dritën të depërtojë brenda dhe shpesh krijojnë përshtypjen e yjeve në qiell.
Në Stamboll dikur kishte 237 hamame, por vetëm rreth 60 prej tyre vazhdojnë të funksionojnë. Disa kanë ambiente të veçanta për burra dhe gra, ndërsa hamamet më të vegjël i presin në orare të ndryshme.
Ndër më të njohurit janë Cağaloğlu, Çemberlitaş, Kılıç Ali Paşa, Ayasofya Hürrem Sultan dhe Zeyrek Çinili. Rituali nis pasi vizitori ndërrohet dhe mbështillet me peştemal, peshqirin tradicional të hamamit.
Shërbyesi i banjës, natır për gratë dhe tellak për burrat, e shoqëron drejt sallës së nxehtë. Fillimisht trupi shpëlahet me ujë të ngrohtë dhe më pas vizitori shtrihet mbi mermerin e ngrohtë, ku qëndron disa minuta duke djersitur.
Pas kësaj vjen një nga pjesët më të njohura të ritualit: kese, një fërkim i trupit me një dorezë të posaçme që largon qelizat e vdekura të lëkurës. Shërbyesi kalon dorezën mbi trup dhe më pas përdor lif, një lloj sfungjeri tradicional, për ta pastruar më tej lëkurën.
Në fund vjen masazhi me shkumë, köpük masaj. Sapuni, zakonisht me bazë vaj ulliri, krijon një shtresë të bollshme shkume që përhapet mbi trup.
Pas larjes së flokëve dhe shpëlarjes përfundimtare, vizitori kthehet në dhomën e freskët, mbështillet me peshqirë dhe zakonisht qëndron pak duke pirë çaj përpara se të vishet.
Por hamami nuk ka qenë kurrë vetëm një vend për higjienë. Për gratë, veçanërisht në të kaluarën, ai ishte një nga hapësirat e rralla publike ku mund të takoheshin, të bisedonin dhe të shkëputeshin për pak nga jeta brenda shtëpisë.
Edhe sot, rituali mbetet një përvojë sociale dhe kulturore. Për shumë vizitorë, hamami është një mënyrë për t’u larguar për disa orë nga ritmi i zakonshëm i jetës.
Avulli, uji, nxehtësia dhe kujdesi i shërbyesit krijojnë një ndjesi relaksi, e cila pas shekujsh, vazhdon të jetë pjesë e pandarë e kulturës turke. \tesheshi.com\










