Pjerin Ndreu, kryebashkiak i Lezhës, ka bërë një akt të lavdërueshëm, atë që në fakt duhet ta bënte dhe një nga dy kryeministrat shqiptarë në rajon, ai i Shqipërisë dhe ai i Kosovës. Po ashtu dhe presidentët respektivë.
Ndreu ka lëshuar një apel ndërgjegjësues për mospërçarje në emër të besimit fetar, duke ruajtur virtytin e bashkëjetesës fetare si komb. Kjo në një kohë kur një projekt i lig antikombëtar po luan me ndenjat e katolikëve kundër muslimanëvë, shfaqur fillimisht në Kosovë dhe që po konsumohet më së shumti aty, startuar me një lëvizje famëkeqe si ajo e Deçanit për kthim në fenë e të parëve në emër të shqiptarisë.
Shkruan Ndreu:
“Kisha dhe xhamia s’kanë qenë kurrë problemi mes shqiptarëve! ‘Ne vërtet kemi Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë’, shkruante At Gjergj Fishta!
Familjet tona janë të përbëra tashmë. Bashkëshortja ime është myslimane, bashkëshorti i vajzës mysliman, bashkëshortja e djalit myslimane, bashkëshortja e vëllait myslimane. Po sa e sa familje janë me këtë status? Feja është çështje që nuk ekziston tashmë si ndasi, por si element bashkëjetese dhe respekti reciprok.
Shoh që bërtasin për kisha, për xhamia, për fe e për atdhe, shoh që njërën fe dikush e quan superiore e tjetrën e fyen! Po jemi shqiptarë të gjithë, more të mjerë, shkruante Pashko Vasa!
Turp për këdo që fyen, pengon, përbuz apo urren fenë e tjetrit! Ndër shqiptarë është edhe më e rëndë, për arsye të shumta që nuk është vendi t’i trajtojmë, sepse janë thënë e stërthënë!”. /tesheshi.com/










