Mbrojtja: 20 vatra zjarri në vend, 7 aktive! Situata më e vështirë në Dibër, ndërhyrje me helikopterë

Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet problematike, me 20 vatra zjarri të raportuara në territor, nga të cilat 7 janë ende aktive dhe 3 ndodhen nën mbikëqyrje.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, për përballimin e situatës janë angazhuar 284 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 80 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore aktive janë të përqendruara në Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës.
Në zonën e Dajtit, drejt Qafë-Priskës, po vijon ndërhyrja me 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter.
Situata më e rënduar paraqitet në qarkun e Dibrës. Në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Sllatinë po operojnë 91 forca. Aktive mbeten edhe vatrat në Lundre të Matit, ku është ndërhyrë nga ajri me helikopter, si dhe në Ballenjë të Martaneshit, në një zonë të mbrojtur.
Në Qafën e Lugut, Vithkuq, zjarri në sipërfaqe pyjore do të monitorohet gjatë natës, për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë për ndërhyrje në orët e vona.
Ndërkohë, vatra e riaktivizuar në Zallë, Fushë-Krujë, është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, strukturave bashkiake dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk ka zona të banuara në rrezik.
Në mbikëqyrje po mbahen edhe vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit, ndërsa gjatë ditës janë shuar plotësisht zjarret në Strikçan dhe Nivicë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.
Autoritetet bëjnë me dije se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.




