E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

PS-PD përplasen në Kushtetuese, opozita ka goditur 7 vendime të mazhorancës. Mes tyre, “Diella” dhe Endri Shabani

Nga shtatori Gjykata Kushtetuese do të shndërrohet në arenën e betejës ku do të përplasen opozita dhe mazhoranca socialiste për 6 vendime të parlamentit të cilat sipas Partisë Demokratike janë miratuar në shkelje të ligjit themeltar të shtetit.

Çështja më interesante për të cilën pritet vendimi i gjyqtarëve është ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale. Partia Demokratike kërkoi në Kushtetuese shpalljen të paligjshme të Diellës duke theksuar se cilësitë e ministrit janë të përcaktuar qartë në Kushtetutë, dhe Diella nuk përmbush asnjë prej tyre.

Shqyrtimi i kësaj çështjeje ka përfunduar në muajin maj dhe opozita ka akuzuar gjyqtarët se kanë shkelur ligjin pasi duhet të kishin shpallur vendimin brenda një muaji.

Vendimi i Kushtetueses për ministren Diella, është i pari që lidhet me inteligjencën artificiale, nga kjo gjykatë.

Në 29 shtator Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankimimin e deputetëve të Partisë Demokratike për shkarkimin e Endri Shabanit nga posti i Avokatit të Popullit, pasi sipas opozitës procedura e zgjedhjes së tij nga parlamenti është e paligjshme.

Opozita ka goditur në Gjykatën Kushtetuese edhe rrëzimin nga socialistët të dy kërkesave të saj për ngritjen e komisioneve hetimore; një për AKSHI-n dhe një për Autoritetin Rrugor dhe këto ankimime pritet të shqyrtohen deri në fund të këtij viti.

Gjykata Kushtetuese do të vendosë edhe për fatin e Komisionit Hetimor për fondet e IPARD, të cilin mazhoranca e rrëzoi në Kuvend.

Gjithashtu kushtetuesja do të shohë kërkesën e demokratëve për shfuqizimin e ligjit “Për Paketën e Maleve”, e cila është gjithashtu një prej kërkesave të qytetarëve që protestojnë prej 3 muajsh para kryeministrisë.

Çështja e fundit që partia Demokratike ka goditur në Gjykatën Kushtetuese është marrëveshja më Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një hua prej 302 milionë dollarësh që Shqipëria do ta përdorë për modernizimin e Forcave të Armatosura. Edhe pse opozita ishte dakord për këtë marrëveshje, ajo beson se procedura e miratimit ishte antikushtetuese ndaj e goditi në gjykatë.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Më shumë video