Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, demokratja me rangun më të lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, senatori Chuck Grassley, kryetar i Komitetit të Senatit për Gjyqësorin, dhe kongresmeni Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kanë folur përpara funeralit të kriminelit të luftës Ratko Mladiq.
“Ratko Mladiç ishte një kriminel lufte dhe arkitekt i gjenocidit të Srebrenicës, në të cilin u vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë. Forcat e tij ishin gjithashtu përgjegjëse për rrethimin gati katërvjeçar të Sarajevës, një nga më të gjatët në historinë moderne. Veprimet e tij përfaqësojnë disa nga krimet më çnjerëzore të kryera në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore”, deklarojnë ata, duke shtuar:
“Do të ishte një përdhosje e kujtimit të viktimave të tij, por edhe një fyerje për rajonin që ende jeton me pasojat e fushatës së tij të spastrimit etnik, që çdo qeveri ta nderonte vdekjen e tij ose ta lavdëronte atë. Është tashmë thellësisht shqetësuese që Serbia ka njoftuar se Mladiç do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake, si dhe që Milorad Dodik e ka quajtur atë një ‘luftëtar serb të lirisë’.”
Përpara funeralit të së hënës, ata u bënë thirrje qeverive serbe dhe të Republikës Srpska të përmbahen nga çdo lidhje me ceremonitë e planifikuara dhe të sigurohen që asnjë deklaratë publike ose akt zyrtar nuk e portretizon Mladiçin si diçka tjetër përveç arkitektit të dënuar të gjenocidit.
“Ditët në vijim do të jenë një provë e gatishmërisë së Serbisë dhe Republikës Srpska për t’u shkëputur nga e kaluara dhe për të nisur rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimin euroatlantik, ose për të lejuar që e kaluara të pengojë përsëri një të ardhme më të mirë për qytetarët e tyre”, thanë ata.