Showbiz
“Keni marrë rolin e prokurorit”/ Bashkëshortja e Milaim Zekës përplaset me dy deputetet e VV: Nxirrni provat!
27 Gusht, 2026 | 10:53 pm

Një përplasje e fortë publike ka shpërthyer në Kosovë pas reagimeve të deputeteve të Vetëvendosjes, Adriana Matoshi dhe Arjeta Fejza, në lidhje me gazetarin Milaim Zeka.
Në debat është përfshirë edhe bashkëshortja e tij, gazetarja Edlira Qefalija Zeka, e cila ka reaguar ashpër ndaj dy deputeteve, duke i akuzuar se po marrin rolin e prokurorit dhe gjykatësit përpara se drejtësia të ketë thënë fjalën e saj.
Polemika lidhet me emrin e Milaim Zekës në çështjen e Fatmir Shehollit dhe pretendimet që kanë dalë në kuadër të hetimeve për spiunazh. Në dosjen e bërë publike pretendohet se Zeka ka marrë 1 mijë euro në lidhje me publikimin e disa materialeve. Vetë gazetari e ka kundërshtuar këtë version, duke deklaruar se paratë ishin destinuar për një përkthim dhe se më pas ishin kthyer.
Pas këtyre zhvillimeve, Adriana Matoshi reagoi me ironi ndaj Zekës, duke përdorur edhe shprehjen për “sapunin” dhe duke lënë të kuptohej se ai mund të përfundonte në burg.
Pikërisht ky reagim ka shkaktuar kundërpërgjigjen e fortë të Edlira Qefalija Zekës.
Ajo shprehet se prej disa ditësh dy deputetet po flasin sikur fati juridik i bashkëshortit të saj të ishte vendosur tashmë dhe kërkon që, nëse disponojnë prova apo informacione që nuk i kanë organet e drejtësisë, t’i bëjnë ato publike.
Në reagimin e saj, Qefalija Zeka ndalet veçanërisht te Adriana Matoshi, duke kujtuar se në momente të ndryshme të jetës së deputetes ajo vetë kishte mbajtur një qëndrim solidar ndaj saj, edhe kur Matoshi ishte përballur me sulme dhe komente të rënda publike.
Toni bëhet edhe më i ashpër kur ajo i përgjigjet Arjeta Fejzës, e cila kishte ngritur pikëpyetje se përse Milaim Zeka vazhdonte të ishte i lirë. Bashkëshortja e gazetarit i drejton Fejzës një sërë pyetjesh dhe pretendimesh politike, duke e sfiduar të japë shpjegime për çështje që, sipas saj, lidhen me persona me të cilët Vetëvendosja ka pasur kontakte.
Në fund, Edlira Qefalija Zeka kërkon që drejtësia të lihet të bëjë punën e saj dhe që askush të mos shpallet fajtor përmes deklaratave politike apo rrjeteve sociale.
Ajo paralajmëron gjithashtu se deklaratat që i konsideron denigruese, fyese apo nxitëse të urrejtjes mund të përfundojnë edhe në përballje ligjore.
Përplasja vjen në një moment kur emri i Milaim Zekës është vendosur në qendër të debatit publik për shkak të zhvillimeve në çështjen Sheholli, ndërsa vetë gazetari ka mohuar interpretimin që i është bërë rolit dhe pagesës së pretenduar.












































