Lajme
Burri e la pak ditë para dasmës, por nusja shkoi gjithsesi në Toskanë me familje e shoqëri dhe festoi pa dhëndrin
25 Gusht, 2026 | 6:42 pm

Një histori e pazakontë dashurie dhe ndarjeje po bën xhiron e rrjetit. Katherine Jones, 36 vjeçe nga Liverpooli, kishte planifikuar prej muajsh martesën e saj në Toskanë, por vetëm shtatë ditë para ceremonisë, marrëdhënia me partnerin mori fund.
Pas rreth gjashtë vitesh e gjysmë lidhje dhe afro 18 muajsh organizim të dasmës, gjithçka dukej gati për ditën e madhe. Ceremonia dhe festimet ishin planifikuar në Tenuta Mocajo, në Montecatini Val di Cecina, ndërsa familjarët dhe miqtë kishin rezervuar udhëtimet drejt Italisë.
Por vetëm pak ditë para se çifti të thoshte “po”, planet u shembën.
Në vend që të anulonte gjithçka dhe të qëndronte në shtëpi, Katherine mori një vendim të papritur: do të shkonte në Toskanë dhe do ta zhvillonte festën edhe pa dhëndrin.
Rreth 30 miq dhe familjarë iu bashkuan në Itali dhe ajo e transformoi atë që duhej të ishte festa e martesës në një udhëtim treditor me njerëzit e saj më të afërt.
Katherine veshi të bardha, darkoi dhe festoi me të ftuarit, ndërsa edhe fotografi i rezervuar për dasmën ishte aty për të dokumentuar momentet e pazakonta.
Vendimi kishte edhe një arsye praktike: një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve ishte bërë tashmë dhe nuk mund të rikuperohej, ndërsa shumë prej të ftuarve kishin prenotuar fluturimet dhe udhëtimin.
Por surprizat nuk përfunduan aty.
Pas festës në Toskanë, Katherine kishte përpara edhe udhëtimin që fillimisht ishte menduar si muaji i mjaltit në Bregun e Amalfit. Në vend që ta anulonte, ajo vendosi ta bënte me nënën e saj, duke e pagëzuar me humor “mummy moon”.

Historia e saj u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ku vendimi për të mos lejuar që fundi i marrëdhënies t’i shkatërronte edhe udhëtimin dhe festën tërhoqi vëmendjen e mijëra përdoruesve.
Dasma nuk u bë, dhëndri mungoi, por festa vazhdoi. Dhe Katherine e ktheu një javë që duhej të shënonte martesën e saj në fillimin e një kapitulli krejt tjetër.


















































