Showbiz
Dua Lipa drejt Sanremos 2027? Stefano De Martino e kërkon si bashkëprezantuese në një nga netët e Festivalit
26 Gusht, 2026 | 2:33 pm

Dua Lipa mund të rikthehet në skenën e Festivalit të Sanremos, këtë herë jo vetëm si yll ndërkombëtar i ftuar, por në një rol krejtësisht të ri: atë të bashkëprezantueses.
Sipas informacioneve që qarkullojnë në mediat italiane, Stefano De Martino po punon për të pasur Dua Lipën në krah gjatë një prej netëve të Sanremos 2027, edicioni i parë që ai do të drejtojë si prezantues dhe drejtor artistik.
Negociatat me ekipin e yllit botëror të muzikës pop raportohet se janë tashmë në një fazë të avancuar, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Rai apo nga vetë Dua Lipa.
Ende nuk është vendosur se në cilën prej pesë netëve mund të shfaqet këngëtarja me origjinë shqiptare. Mes mundësive që po diskutohen janë nata e hapjes, finalja, por edhe nata e re e dedikuar për përzgjedhjen e përfaqësuesit të Italisë në Eurovision.
Një detaj që e bën edhe më të mundshme realizimin e marrëveshjes është axhenda e Dua Lipës. Aktualisht këngëtarja nuk ka koncerte të programuara gjatë datave 16–20 shkurt 2027, kur do të zhvillohet Festivali i Sanremos.
Për Dua Lipën, skena e Aristonit nuk është e panjohur. Ajo ishte e ftuar në Sanremo 2020, gjatë edicionit të parë të drejtuar nga Amadeus, ku performoi hitin “Don’t Start Now”. Nëse negociatat e këtij viti përfundojnë me sukses, rikthimi do të ishte shumë më i rëndësishëm, pasi ajo do të kalonte nga roli i të ftuarës muzikore në atë të bashkëprezantueses.
Stefano De Martino duket se synon t’i japë edicionit të tij të parë një profil të fortë ndërkombëtar. Përveç Dua Lipës, në Itali po qarkullon edhe emri i Maria De Filippit si bashkëprezantuese e mundshme për një mbrëmje, ndërsa Brenda Lodigiani raportohet se mund të ketë një prani më të vazhdueshme me ndërhyrje humoristike gjatë Festivalit.
Sanremo 2027 do të zhvillohet nga 16 deri më 20 shkurt në Teatro Ariston, ndërsa Stefano De Martino është konfirmuar zyrtarisht si prezantues dhe drejtor artistik i edicionit të 77-të.
Për momentin, Dua Lipa në krah të De Martinos mbetet një negociatë dhe jo një pjesëmarrje e konfirmuar. Por nëse marrëveshja mbyllet, Sanremo 2027 mund të sigurojë që tani një prej emrave më të mëdhenj ndërkombëtarë të edicionit.












































