Lajme
Po luante me motrën, 5-vjeçari bie nga 3 metra lartësi. Dërgohet me urgjencë te Trauma
28 Gusht, 2026 | 3:54 pm

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Libohovë, ku një fëmijë vetëm 5 vjeç është aksidentuar pasi ka rënë nga një lartësi prej rreth tre metrash.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri me inicialet Y.I. po luante së bashku me motrën e tij të mitur, kur dyshohet se ka humbur ekuilibrin. Këmba i ka rrëshqitur dhe 5-vjeçari ka përfunduar në tokë pas rënies nga lartësia.
Menjëherë pas ngjarjes, fëmija është transportuar drejt Spitalit të Gjirokastrës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Më pas, për shkak të nevojës për ekzaminime dhe trajtim më të specializuar, është vendosur transferimi i tij drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Fatmirësisht, informacionet paraprake bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e 5-vjeçarit është e stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Rrethanat e plota të aksidentit pritet të sqarohen, ndërsa nga të dhënat e deritanishme bëhet fjalë për një rënie aksidentale.


















































