KF Lepenci ka dalë me një reagim të gjatë në rrjetet sociale për të qartësuar njëherë e mirë spekulimet që kanë qarkulluar mbi një investim të mundshëm brenda klubit.
Sipas asaj që klubi bën të ditur në komunikatën zyrtare, shkruhet se Lepeci ka statusin e një organizate joqeveritare dhe se në varësi të kësaj, çdo vendimarrje bëhet sipas kompetencave të organeve të klubit. Sakaq, shpjegohet se kryesia nuk ka legjitimitet të lidhë marrëveshje paraprake pa votim dhe pëlqimin e 2/3 të anëtarëve të Kuvendit të kësaj organizate.
Lidhur me ofertën e spekuluar, Lepenci sqaron se janë të hapur për çdo investim serioz, por çdo marrëveshje, sipas tyre, duhet të jetë e dokumentuar dhe në përputhje me Statutin dhe ligjet në fuqi.
NJOFTIMI I PLOTË:
Duke parë deklarimet e fundit lidhur me një investim të mundshëm në klub, ndjejmë obligim të sqarojmë opinionin publik dhe qëndrimin tonë.
Së pari, KF Lepenci është organizatë joqeveritare (OJQ) dhe funksionon në përputhje me Statutin dhe legjislacionin në fuqi. Çdo vendimmarrje duhet të bëhet sipas kompetencave të organeve të klubit dhe procedurave statutare.
Kryesia e klubit nuk ka legjitimitet të lidhë marrëveshje paraprake pa votim dhe pa pëlqimin e 2/3 të anëtarëve të Kuvendit të OJQ-së.
KF Lepenci nuk është pronë e individëve. Ai është pjesë e historisë, traditës dhe identitetit sportiv të Kaçanikut. Për këtë arsye, çdo vendim për të ardhmen e klubit duhet të merret me përgjegjësi, transparencë dhe në interesin afatgjatë të klubit dhe komunitetit.
Jemi të hapur për çdo investim serioz, transparent dhe të qëndrueshëm, por çdo marrëveshje duhet të jetë e dokumentuar dhe në përputhje me Statutin dhe ligjet në fuqi.
Sa i përket pretendimeve të fundit, theksojmë se nuk është në interesin e askujt që KF Lepenci të humbasë një mundësi serioze për zhvillim. Përkundrazi, synimi ynë është që klubi të zhvillohet, të forcohet dhe të ketë një të ardhme sa më të mirë.
Sa i përket ofertës nga investitori turk, nuk u prezantua asnjë projekt konkret për klubin. Kërkesa ishte që për katër muaj të qëndronte anonim dhe, nga janari i vitit të ardhshëm, të merrte drejtimin e presidencës dhe bordit të klubit.
Për një klub me traditë dhe përgjegjësi ndaj tifozëve, një qasje e tillë nuk mund të konsiderohet ofertë serioze apo projekt i mirëfilltë për të ardhmen.
Lepenci ka histori, traditë dhe emër të madh sportiv, të cilin të gjithë kemi përgjegjësi ta ruajmë dhe zhvillojmë.
KF Lepenci mbi të gjithë dhe mbi çdo interes individual.
View this post on Instagram






