Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka njoftuar këtë të diel dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares së Partia Socialiste së Vlorës. Lajmin ajo e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku shprehet se vendimi vjen në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, duke theksuar se i ka hapur rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj.
Në postim ajo shprehet se e ka drejtuare Partinë Socialiste të Vlorës prej 1 viti e tre muaj, duke e konsideruar atë detyrë si një përgjegjësi dhe një mundësi të dhënë nga Kryeministri Edi Rama.
Po ashtu ajo thekson se gjatë kësaj periudhe është përpjekur ta ushtrojë detyrën me përkushtim, korrektësi dhe integritet. Gjithashtu Ismaili ka falenderuar socialistët, anëtarët, drejtuesit dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen dhe bashkëpunimin.
Postimi i plotë:
Ka qenë privilegj dhe përgjegjësi që, për 1 vit e 3 muaj, të drejtoja si bashkëkryetare Partinë Socialiste të Vlorës, falë besimit dhe mundësisë së dhënë nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Një detyrë që jam përpjekur ta ushtroj me përkushtim, korrektësi dhe integritet, e vetëdijshme për përgjegjësinë që mbart drejtimi dhe përfaqësimi i një strukture kaq të rëndësishme.
Sot, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, jap dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares, duke i hapur rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste të Vlorës.
Faleminderit çdo socialisti, anëtari, drejtuesi dhe bashkëpunëtori për mbështetjen, besimin dhe punën e përbashkët gjatë kësaj periudhe, duke më nxitur të jap më të mirën dhe të kontribuoj për një model drejtimi të bazuar te puna, përgjegjësia dhe respekti për njerëzit. Mirënjohëse për këtë kapitull dhe për gjithçka ndërtuam së bashku./newsbomb.al

















