Do të të merja aty ku askush s’ka arritur,
bota s’e njeh atë vend.
Ai ekziston, vetëm kur ti më vështron.
Është hapësira jonë ku fjalët nuk thuhen
dhe zemrat symbyllur, njëra-tjetrën njohin.
Do të të merrja me vete,
pa pyetur as fatin, as kohën.
Dyshimet u përkasin atyre
që kërkojnë arsye për të dashuruar,
kur tek ti tashmë, kam gjetur veten.
Nuk e mbaj mend kur filloi gjithçka.
Ndoshta në buzëqeshjen tënde,
ndoshta në heshtjen që vetëm ne dinim ta kuptonim.
Mbaj mend çastin kur zemra pushoi së kërkuari, përqafuar ëndrrën.
Që atëherë,
çdo rrugë më çon tek ti,
çdo hap mban aromën tënde,
çdo “përgjithmonë” ka fytyrën tënde.
Nëse dashuria ka një vend ku koha nuk ekziston,
kam qenë aty dhe nuk dua të largohem.
Brixhilda Dede

































