Në çdo shtëpi shqiptare, rreth tryezës së bukës, ulet gjithmonë një person më shumë se ata që jetojnë aty. Nuk ka emër, nuk ka fytyrë, por prania e tij është më e rëndë se e çdo anëtari tjetër të familjes. Ky parazit i padukshëm që ha nga pjata jonë, që futet në shtratin ku flemë dhe kontrollon çdo frymëmarrje,
Quhet :”Bota…Opinioni…Çfarë do thonë njerëzit”.
Është një hije e ndyrë që gjykon, shikon, mendon dhe dikton jetët tona. Dhe pjesa më e shpifur?
Ne vetë i kemi hapur derën, duke e kthyer në zot të shtëpisë sonë. Çfarë mentaliteti i kalbur dhe mesjetar! Kemi ndërtuar një teatër të madh hipokrizie ku njerëzit tmerrohen më shumë nga goja e botës sesa nga fakti që po kalbin jetën e tyre për të kënaqur ca analfabetë funksionalë që rrinë rrugëve.
Shikoni dasmat tona! Janë kthyer në shfaqje hollivudiane. Prindërit marrin kredi që do t’i lajnë për dhjetë vite, vetëm për të ushqyer me mish e alkool treqind njerëz që as nuk i njohin dhe që fundja, do të ikin duke u ankuar se “mishi ishte i ftohtë” apo “muzika ishte e lartë”. Digjet buxheti i një familjeje dhe shkatërrohet fillimi i një çifti të ri, vetëm që njerëzit të mos thonë se “i bënë dasmë të thjeshtë”. Ky nuk është gëzim, kjo është skllavëri ndaj opinionit!
Po me universitetin? Mijëra të rinj detyrohen të studiojnë për drejtësi, mjekësi apo ekonomi, jo sepse i duan ato degë, por sepse prindërit duhet të mburren nëpër kafe: “Djali ose vajza ime po bëhet avokat” .Vritet talenti i një piktori, i një mekaniku apo i një kuzhinieri të zot, për të prodhuar një tjetër të papunë me diplomë të madhe, thjesht për të kënaqur egon e rrethit.
Por aty ku ky mentalitet bëhet kriminal dhe i pashpirt, është mbi kurrizin e vajzave dhe grave. Ato monitorohen në çdo sekondë të jetës: sa e gjatë është jeta e tyre jashtë shtëpisë, me kë flasin, si vishen, pse qeshin. Nëse një grua kërkon divorcin nga një martesë toksike apo e dhunshme, shoqëria ulëret: “Duroni për sy të botës, çfarë do thonë njerëzit!”*Më mirë një grua e shkatërruar apo e dhunuar, sesa një “tuf njerëzish” që flet nëpër lagje. Vajzave u diktohet mosha e martesës si t’u skadonte afati, dhe suksesi i tyre matet vetëm nëse kanë gjetur një burrë, jo nga mendja, pavarësia apo arritjet e tyre.
Dhe kulmi i kësaj drame shpërthen te plaga e emigrimit. Sa djem e vajza lënë rininë rrugëve të botës, duke bërë punët më të rënda e duke u gdhirë në ndërrime nate, vetëm për të sjellë para e për të ndërtuar shtëpi gjigante me tre katsh nëpër fshatra e qytete ku nuk jeton askush?
Shkatërrojnë shëndetin dhe jetën në emigrim, thjesht që kur të kthehen dy javë në gusht, të parakalojnë me një makinë të shtrenjtë vetëm e vetëm për sytë e botës.
Një jetë e tërë në sakrificë e vetmi jashtë shtetit, e shkrirë vetëm për të blerë iluzionin e suksesit para një shoqërie ziliqare. Ky nuk është respekt, kjo është vdekje klinike e dinjitetit!
Prandaj, kjo thirrje të shkojë direkt te brezi ynë. Refuzoni të jeni skllevërit e radhës!
Mjaft pranuat të jeni brezi i radhës që sakrifikohet në altarin e hipokrizisë shoqërore. Prindërit tanë, gjyshërit tanë, mbase nuk patën zgjedhje apo guxim të thyenin zinxhirët. Por ne?
Ne nuk kemi asnjë arsyetim. Sot, të jetosh ende me frikën se çfarë do thonë njerëzit është krimi më i madh që mund t’i bësh vetes.
Vajza, mos lejoni askënd t’ju tregojë se sa vleni bazuar në statusin tuaj martesor. Ju nuk jeni pronë e moralit të rremë të një lagjeje. Djem, mos e çoni rininë dëm nëpër fakultete që i urreni apo për makina me qira që t’ju admirojë komshiu. Kjo shoqëri që ju gjykon sot, do t’ju harrojë nesër nëse dështoni. Asnjë nga ata thashethemaxhinj që rrinë kafeneve duke llogaritur jetën tuaj, nuk do t’ju paguajë faturat, nuk do t’ju kurojë depresionin dhe nuk do t’ju kthejë vitet e humbura.
Ndizeni revoltën tuaj të brendshme!
“Ndërtoni karrierën që doni, vishuni si të ndiheni mirë dhe jetoni me rregullat tuaja. Ndryshimi nuk vjen duke pritur që shoqëria të ndryshojë. Ndryshimi vjen kur ne bëhemi të paprekshëm nga opinioni i saj. Nxirreni mysafirin e padukshëm prej fyti, përplasjani derën fytyrës dhe merrni në dorë timonin e jetës suaj. Është jeta juaj bëjeni t’ju takojë juve, jo atyre!
JETINA BUSHI!


































