Home KRYESORE ZANAT E MALIT DHE XHUXHËT. Nga Elvira Zeneli

ZANAT E MALIT DHE XHUXHËT. Nga Elvira Zeneli

ZANAT E MALIT DHE XHUXHËT

Gentii, pasi luajti mirë e mirë me lodrat e tij, vrapoi drejt gjyshes, e cila ndodhej në kuzhinë dhe sapo kishte përfunduar një tavë të shijshme me speca të mbushur.
-Nënë, o nënë! Ooo, sa erë e mirë që vjen! Çfarë ke gatuar sot për drekë?
-Eja, i bukuri i nënës, dhe shikoje. Speca të mbushur. Sa të vijnë mami dhe babi, do të shtrojmë tavolinën, xhan i nënës.
Edhe gjyshi sapo kishte mbaruar punën e tij. Kishte prerë barin, sepse ishte rritur shumë dhe po ngjitej lart.
-Nënë, derisa të mblidhen të gjithë, a ulemi dhe më trego një nga përrallat që u tregoje babit tim dhe hallave, kur ishin të vegjël?
Nëna Ela buzëqeshi dhe i tha:
-Eja, ulemi dhe të tregon nëna një nga përrallat që babai yt e donte shumë.
Dhe nëna Ela filloi:
Na ishte njëherë, në rrëzë të maleve të larta të Shqipërisë, një pyll i madh e i dendur, ku njerëzit nuk shkelnin shpesh. Në zemër të këtij pylli jetonin krijesa të mrekullueshme, me fustane të bardha si dëbora, flokë të gjatë deri në tokë dhe zëra që këndonin si bilbilat. Ato ishin Zanat e Malit.
Zanat mbronin natyrën, kafshët dhe burimet e ujit. Pranë tyre, nëpër shpella të vogla, nën rrënjët e pemëve shekullore, jetonin edhe disa njerëz shumë të vegjël, sa një gisht, por jashtëzakonisht punëtorë. Ata quheshin Xhuxhmaxhuxhë.
Xhuxhët mblidhnin gurë të çmuar në thellësi të tokës dhe me to krijonin vegla magjike për kafshët e pyllit.
Zanat dhe xhuxhët jetonin në miqësi të plotë. Por një verë, një furtunë e madhe përfshiu pyllin. Ra një shi i dendur, që zgjati me orë të tëra. Kur shiu pushoi, një shkëmb gjigant u shkëput nga maja e malit, u rrokullis tatëpjetë dhe bllokoi hyrjen e burimit të vetëm magjik, nga i cili Zanat pinin ujë për të ruajtur bukurinë dhe fuqinë e tyre.
Zanat u mblodhën rreth shkëmbit. E shtynë me të gjitha fuqitë e tyre, por shkëmbi nuk lëvizi as edhe një pëllëmbë.
Pa ujin e kroit magjik, Zanat nisën të humbnin shkëlqimin. Flokët e tyre të artë filluan të zbeheshin dhe fytyrat e tyre u mbushën me trishtim.
Duke parë këtë fatkeqësi, kryetari i Xhuxhëve, një xhuxh mjekërgjatë, i mençur dhe i urtë, i quajtur Beneo, thirri popullin e tij:
-Miqtë tanë po dobësohen! Ne jemi të vegjël, por, nëse bëhemi bashkë, mund t’i ndihmojmë!
Xhuxhët nuk përtuan aspak. Sapo dëgjuan për problemin e miqve të tyre, morën menjëherë kazmat dhe lopatat e tyre të vogla magjike dhe vrapuan drejt shkëmbit.
Zanat i panë me trishtim dhe u thanë:
-O xhuxhë të mirë, ju falënderojmë nga zemra, por trupat tuaj janë shumë të vegjël. Si mund ta lëvizni këtë shkëmb, të cilin as ne nuk mundëm ta tundnim?
Beneo buzëqeshi dhe u përgjigj:
-Forca nuk qëndron te madhësia e trupit, por te bashkimi, durimi dhe besimi te njëri-tjetri!
Xhuxhët nuk u përpoqën ta shtynin shkëmbin. Në vend të kësaj, filluan të gërmonin me shpejtësi dhe këmbëngulje dheun dhe gurët e vegjël pikërisht nën të.
Ata punuan të gjithë së bashku, si një trup i vetëm, duke kënduar një këngë ritmike për të mbajtur hapin e punës.
Zanat, të mahnitura nga vullneti dhe këmbëngulja e tyre, përdorën fuqinë e fundit të zërave të tyre për të kënduar një këngë magjike, e cila u jepte forcë dhe shpejtësi miqve të tyre të vegjël.
Pas disa orësh pune të palodhur, xhuxhët hapën një kanal të madh poshtë shkëmbit. Papritur, u dëgjua një zhurmë e fuqishme.
Shkëmbi i rëndë humbi ekuilibrin, u rrokullis vetë tatëpjetë shpatit të malit dhe u largua nga kroi.
Uji i kroit magjik shpërtheu sërish i lirë dhe i pastër.
Zanat vrapuan drejt burimit, pinë ujin e ftohtë dhe, menjëherë, rifituan bukurinë, fuqinë dhe shkëlqimin e tyre. Flokët e tyre shndritën përsëri si rrezet e diellit.
Nga gëzimi, Zanat organizuan një festë të madhe në një lëndinë të ndriçuar nga hëna. Ato ftuan edhe miqtë e tjerë të pyllit dhe u treguan të gjithëve për mësimin e bukur që kishin marrë nga miqtë e tyre të dashur e të sinqertë, Xhuxhët.
Të gjithë së bashku vallëzuan “Vallen e Zanave”. Në shenjë mirënjohjeje, Zanat u dhuruan xhuxhëve nga një pikë vese të ngrirë magjike.
Por, sapo pikat prekën duart e xhuxhëve, ato u shndërruan në diamantet më të ndritshme që kishte parë ndonjëherë pylli.
Që nga ajo natë, pylli mbeti i qetë dhe i lumtur. Dhe të gjithë banorët e tij e kujtuan gjithmonë atë ditë si dëshminë më të bukur se kur të vegjlit bëhen bashkë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin, mund të lëvizin edhe malet më të larta.
Nëna Ela mbaroi përrallën dhe pa Gentin, i cili po e dëgjonte me sytë plot kureshtje.
-Dhe këtë përrallë, -i tha ajo,-ia tregoja dikur edhe babait tënd, kur ishte i vogël.
Gentii buzëqeshi.
-Më pëlqeu shumë, nënë. Por më pëlqeu më shumë ajo që mësuan Zanat dhe Xhuxhët.
-Çfarë mësuan? -e pyeti gjyshja.
Gentii mendoi pak dhe tha:
-Se kur miqtë ndihmojnë njëri-tjetrin, edhe gjërat e pamundura bëhen të mundura.
Nëna Ela e përqafoi fort.
Në atë çast, nga dera u dëgjua zëri i mamit:
-Erdhëm!
Dhe shtëpia u mbush me zëra, buzëqeshje dhe aromën e tavës së ngrohtë me speca të mbushur.
Përralla kishte mbaruar, por mësimi i saj do të mbetej gjatë në zemrën e Gentit.

Share: