Home KRYESORE Dashuria dje dhe sot! Nga Ervina Toptani

Dashuria dje dhe sot! Nga Ervina Toptani

Ekzistonte një kohë jo fort e largët kur dashuria nuk kishte nevojë të thuhej. Njerëzit nuk përsërisnin shpesh «të dua», as miqtë, as të dashuruarit, as vëllezërit e motrat, as njerëzit e një familjeje që ishin rritur bashkë dhe e kishin kaluar jetën duke e njohur njëri-tjetrin përmes zakoneve, humbjeve dhe gëzimeve të vogla. Nuk kishte nevojë të thoje “të dua”.

Një mik apo një mike e mirë nuk të dërgonte një mesazh të gjatë zanor për të të thënë se sa shumë të donte apo të vlerësonte. Shfaqej në derën e shtëpisë tënde pa të lajmëruar, me diçka për të ngrënë dhe të thoshte vetëm: «Hajde, ulu këtu, më trego tani»

Vëllai apo motra nuk kishte nevojë të të shkruante në fund të bisedës “të kam xhan ose të dua fort”, thjesht nëse të dëgjonte nga zëri që diçka nuk shkonte, linte punën dhe vinte.

I dashuri/e dashura apo dhe bashkëshortët mund të mos të thonin “të dua” çdo minutë e as të dërgonin fraza të gatshme që qarkullojnë sot nëpër rrjete sociale, por mbante mend gjërat e vogla: si e pi kafenë, çfarë të tremb, cila këngë të mbush me emocion, vendin tënd të preferuar kur je i trishtuar. Kur kishe nevojë për të, nuk të pyeste:
«Çfarë të duhet?» Thjesht ishte aty për ty.

Mendoj se ndoshta kjo është një nga humbjet më të padukshme të kohës sonë, fakti se nuk kemi humbur aftësinë për të thënë «të dua» por kemi humbur aftësinë për ta bërë dashurinë të dukshme, të ndjeshme pa e emërtuar atë.

Sot mund t’i dërgojmë një miku a një mikeje një mesazh zanor, disa zemra, një përqafim virtual, një «jam këtu për ty» dhe pastaj të vazhdojmë jetën tonë duke e quajtur “qokën” e kryer. Dhe çuditërisht, kjo mund të na japë edhe ndjesinë se kemi bërë atë që duhet. Por a është prania e një mesazhi e njëjtë me praninë e një njeriu? Çfarë i ka ndodhur njeriut në këto pak dekada? Si kaluam nga dashuria që bëhej me duar, me prekje e prezencë fizike po aq sa shpirtërore, tek dashuria që dërgohet me emoji mbi një ekran?

Nga «po vij» te «më shkruaj nëse ke nevojë»?
Nga një mik që të priste në një kafene për të të dëgjuar te një mik që të dërgon një audio prej dy minutash ndërsa është duke bërë diçka tjetër?
Mendoj se nuk kemi humbur dashurinë, pa të bota do të kishte marrë fund me kohë (edhe pse në grykë të greminës jemi). Ne kemi ndryshuar mënyrën si e dëshmojmë atë.

Njeriu nuk njihet përmes asaj që thotë për veten por përmes asaj që një tjetër ka mësuar të vërejë tek ai. Një mik i vjetër e kupton një «jam mirë» të thënë sa pêr të kaluar rastin, me “nuk ndjehem fare mirë” por nuk dua të të shqetësoj.
Një motër a një vëlla e njeh heshtjen tënde menjëherë. Një mike e ngushtë e kupton nga mënyra si mbyll telefonin se ka diçka që nuk shkon. Një njeri që të do e di se kur duhet të flasë dhe kur duhet të lerë gjithçka e të vijë pranë teje.
Kjo është një formë njohjeje që nuk kërkon shpjegime, quhet dashuri.

Dashuria është: të njohësh tjetrin aq mirë sa të mund të dallosh nevojën e tij përpara se ai ta kthejë në fjalë.

Sot kemi më shumë informacion për njëri-tjetrin se çdo brez ka pasur para nesh. Dimë ku jemi në kohë reale, çfarë hamë, çfarë lexojmë, me kë jemi, çfarë kemi parë, çfarë kemi pëlqyer. Por informacioni nuk është njohje, mund të dish gjithçka për jetën e dikujt dhe të mos dish asgjë për shpirtin e tij dhe kjo është një nga paradokset më të mëdha të kohës sonë: jemi bërë të arritshëm në çdo çast e, megjithatë më të paarritshëm se kurrë.
Teknologjia na dha mundësinë të jemi pranë pa qenë fare aty!

Sot mund të themi «të dua» pa lëvizur nga vendi, pa u takuar apo parë asnjêherë në sy. Dashuria është bërë deklaratë, nuk është më përjetim. Kemi kaluar nga akti tek simboli, simbolet me zemra, me torta, me fytyra.

Ne kemi humbur durimin për të qenë, kemi zëvendësuar marrëdhënien me komunikimin dhe e kemi ngatërruar komunikimin me afërsinë. E ndoshta për këtë arsye sot themi kaq shpesh «të dua» dhe fjala tingëllon shumë më e lehtë se pesha e saj reale. Dashuria e vërtetë kushton dhe kushton shtrenjtë, të prish planet, të merr kohë, të bën përgjegjës, të detyron të kuptosh, të hapësh shpirtin, të njohësh, të derdhësh lot, të japësh veten.

E ndaj vetvetiu më lind pyetja: çfarë ndodh me dashurinë kur shoqëria e bën gjithnjë e më të lehtë shprehjen dhe gjithnjë e më të vështirë sakrificën?

Ervina Toptani

Share: