POLITIKË /

Rama: PasqyrAlbania, “kontratë kushtetuese”, do të kufizojë efektin e dezinformimit

Rama tha se në platformë do të jenë të aksesueshme edhe shifrat, provat, mendimet e ekspertëve, arsyet e vonesave dhe të dhënat për personat përgjegjës, duke i vendosur në transparencë proceset që lidhen me punët publike.

Shkruar nga Versus

Rama: PasqyrAlbania, “kontratë kushtetuese”, do të

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar platformën PasqyrAlbania si një “kontratë kushtetuese” mes qytetarit dhe shtetit, duke deklaruar se ajo do t’u japë qytetarëve mundësinë të kontrollojnë drejtpërdrejt punët publike.

Në mbledhjen me ministrat dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se platforma do të përmbajë dokumente, të dhëna, procesverbale dhe materiale të tjera që lidhen me projektet dhe investimet publike.

Sipas tij, qytetari nuk duhet të jetë i detyruar të mbështetet vetëm te deklaratat e qeverisë apo raportimet mediatike, por duhet të ketë mundësi të verifikojë vetë se çfarë po ndodh me fondet publike.

“PasqyrAlbania është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin”, deklaroi Rama, duke shtuar se përmes saj qytetari do të mund të mësojë se çfarë po bën qeveria në emër të tij, kush është përgjegjës për një çështje të caktuar dhe në çfarë faze ndodhet një projekt.

Kryeministri tha se platforma synon gjithashtu të kufizojë efektin e dezinformimit. Ai solli si shembull rastet kur publikohen pretendime për probleme me një rrugë apo investim, duke theksuar se qytetari duhet të ketë akses te dokumentet dhe provat për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht.

“Kjo e ndryshon plotësisht pozitën e qytetarit nga një viktimë potenciale e informacionit te një mbikëqyrës i shtetit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, në platformë do të jenë të aksesueshme edhe shifrat, provat, mendimet e ekspertëve, arsyet e vonesave dhe të dhënat për personat përgjegjës, duke i vendosur në transparencë proceset që lidhen me punët publike.

Poll