Mbrojtja e biznesmenit Luan Muça ka dhënë një tjetër version për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Orikum të Vlorës, duke mohuar pretendimet se klienti i saj i ka kërkuar 5 milionë euro biznesmenit Vasil Bedinaj.
Sipas mbrojtjes, Muça kishte lënë një takim me Bedinajn për të diskutuar një mosmarrëveshje që lidhet me një investim në bregdetin e Jugut.
Avokatët pretendojnë se në qendër të konfliktit është dokumentacioni dhe pronësia mbi një tokë në Palasë, ku parashikohet ndërtimi i një resorti.
Mbrojtja pretendon gjithashtu se Muça është dhunuar me armë gjatë takimit, duke hedhur poshtë versionin se ai kishte shkuar për t’i kërkuar para Bedinajt.
“Klienti im nuk vë gjoba, s’ka kërkuar asnjë para nga askush, por ka rënë pre e dhunës me armë teksa kishte lënë një takim sqarues me z. Bedinaj. Sqarimi lidhet me një investim në bregdetin e Jugut ku palët kanë pretendime për ligjshmërinë e dokumentacionit”, ka deklaruar mbrojtja e Muçës në media.
Ky qëndrim është i ndryshëm nga ai i biznesmenit Vasil Bedinaj, i cili më herët ka deklaruar në polici se ishte kërcënuar nga një grup personash të armatosur. Sipas versionit të tij, personat i kishin kërkuar 5 milionë euro ose largimin nga Shqipëria.
Përplasja mes dy biznesmenëve vijon të jetë nën hetim, ndërsa deri tani Policia nuk ka dhënë një version zyrtar mbi motivin e konfliktit. Hetuesit po punojnë për të sqaruar se çfarë ka ndodhur gjatë takimit dhe nëse mosmarrëveshja për pronën dhe investimin qëndron pas përshkallëzimit të situatës./Versus.al


