AKTUALITET /

Konflikti me armë mes biznesmenëve në Vlorë, Hita-Lamallari: Pati dhunë fizike dhe të shtëna me armë. Po hetojmë versionet e të dy palëve

Lamallari vlerësoi reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit, ndërsa tha se personat e shpallur në kërkim pritet të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë.

Shkruar nga Versus

Konflikti me armë mes biznesmenëve në Vlorë, Hita-Lamallari:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar nga Kukësi për përplasjen e ndodhur më 3 shtator në Radhimë të Vlorës, ku u përfshinë biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 në ambientet e hotelit “Regina Palm”, në pronësi të Bedinajt. Pas veprimeve të para hetimore, Policia e Vlorës arrestoi pesë persona dhe shpalli në kërkim gjashtë të tjerë. Mes të arrestuarve është edhe Luan Muça, pronar i “Delta Group”.

Hita tha se strukturat e Policisë së Shtetit reaguan menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe arritën të ndalonin në flagrancë disa prej personave të përfshirë në konflikt.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, hetimet kanë vijuar për orë të tëra dhe veprimet procedurale vijojnë edhe këtë të premte, në bashkëpunim me Prokurorinë.

“Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë në masën e arrestit në flagrancë”, deklaroi Hita.

Ai theksoi se policia po verifikon pretendimet e të gjitha palëve të përfshira, për të përcaktuar dinamikën e plotë të konfliktit.

Sipas policisë, gjatë përplasjes pati dhunë fizike dhe të shtëna me armë. Angjelo Breshani dyshohet se mori armën që Vasil Bedinaj e posedonte me leje dhe qëlloi në drejtim të automjeteve të personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

Në kuadër të hetimeve, policia sekuestroi një armë zjarri dhe municion, ndërsa një automjet tip “Audi A8”, që dyshohet se është përdorur nga personat e përfshirë në konflikt, u gjet duke u djegur pranë Kaninës.

Edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se hetimet e Policisë së Vlorës dhe Prokurorisë vijojnë për të përcaktuar të gjithë dinamikën e ngjarjes.

Lamallari vlerësoi reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit, ndërsa tha se personat e shpallur në kërkim pritet të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë.

“Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe të gjitha udhëzimeve të prokurorit të çështjes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe, patjetër, për vënien para përgjegjësisë të autorëve të përfshirë në këtë situatë”, u shpreh ministri./Versus.al

 

Poll