AKTUALITET /

Vrasja e Adem Jasharit dhe familjarëve të tij në Prekaz, Kosova ngre aktakuzë për 35 serbë që morën pjesë në krim

Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila do të vlerësojë provat dhe pretendimet e Prokurorisë ndaj 35 të pandehurve

Shkruar nga Versus

Vrasja e Adem Jasharit dhe familjarëve të tij në Prekaz, Kosova

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 personave, të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës në lagjen e Jasharëve në Prekaz.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, gjatë një konference për mediat të mbajtur këtë të premte, bëri me dije se aktakuza lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve.

Sipas Isufajt, kjo çështje ka një rëndësi të veçantë, pasi bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në këtë zonë të Prekazit.

“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz”, deklaroi Isufaj.

“Ky rast ka qenë shumë kompleks dhe sfidues politik, po falë punës intensive të Prokurorisë Speciale të Kosovës, stafit të saj, bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera të vendit kemi arritur në këtë fazë të ngritjes së aktakuzës, që tashmë është në Gjykatë”, tha ai, raporton Telegrafi.

Sipas tij, bazuar në provat e siguruara kanë arritur të vërtetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit të përfshirë në aktakuzë kanë kryer vepër krime lufte kundër popullatës civile si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjet e datave 5,6 7 mars në vitin 1998 në Prekaz të Poshtëm, konkretisht në lagjen e Jasharajve.


“Si rezultat i hetimeve bazuar në provat materiale dhe personale kemi arritur të identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të policisë serbe.

Gjithashtu është arritur të vërtetohet saktë se cilat njësi të forcave serbe kanë pjesë në këtë sulm, pozicionet ku kanë sulmuar, aktivitetet e secilit prej të pandehurve, arsenali i armatimit që është përdorur dhe dëmet që janë shkaktuar në njerëz, ashtu edhe në pasuri”, tha Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Vladet Gashi.

Prokurori Gashi më tej njoftoi se provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë.

“Provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, duke filluar nga mosha 5-vjeçare, gra dhe të moshuar. Përveç tjerash, është provuar se gjatë këtij sulmi, forcat e njësive speciale serbe kishin marrë peng nga shtëpitë e tyre banorë të lagjes Jasharaj, me të cilin rast i kishin maltretuar në mënyrat më të ndryshme”, tha ai.

Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila do të vlerësojë provat dhe pretendimet e Prokurorisë ndaj 35 të pandehurve.

Poll