
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për përplasjen e ndodhur mes dy biznesmenëve, Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, duke e cilësuar ngjarjen si një “konflikt banal dhe brutal”.
Në reagimin e tij, Rama u shpreh se pas analizimit të situatës dhe hartës pronësore të zonës, sipas tij, është e nevojshme t’i jepet fund kësaj historie, ndërsa paralajmëroi një mesazh më të gjerë për të gjithë ata që zhvillojnë apo menaxhojnë asete turistike.
Kryeministri theksoi se sjellja e investitorëve dhe e personave që punojnë në sektorin e turizmit duhet të jetë në përputhje me atë që ai e cilësoi si “mision kombëtar” për Shqipërinë turistike.
“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë na ka bindur se jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike. Ata duhet të kuptojnë që nuk duhet ta cënojnë me qasjet dhe sjelljet e tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, që shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vetë, nga investitorët te kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar. Prandaj banalitetet dhe brutaliteti i çdo lloj natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli...”, tha mes të tjerash Rama./Versus.al

