
Brenda disa javësh, platforma “PasqyrAlbania” do të prezantojë një seksion të veçantë, të quajtur “Flamingo Mirror”, ku do të bëhen publike të gjitha të dhënat dhe dokumentet që lidhen me investimet në Sazan, Nartë dhe Pishporo.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se në këtë seksion do të pasqyrohen në mënyrë të detajuar dokumentet përkatëse, procesverbalet, statusi i negociatave dhe referencat ligjore për çështjet e ngritura.
“Do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatëse, të dhënat e procesverbaleve, statusin e negociatave, referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe pastaj do të pasurohet hap pas hapi”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te mënyra se si do të funksionojë “PasqyrAlbania”, duke theksuar se platforma nuk do të mbledhë apo përdorë të dhënat e qytetarëve pa miratimin e tyre.
Sipas Ramës, qytetarët do të kenë mundësi të kërkojnë të marrin njoftime në kohë reale për çështjet që i interesojnë, duke shmangur vonesat dhe ndërmjetësimin përmes mediave.
“PasqyrAlbania duhet të informojë në kohë reale çdo qytetar kur ka rrezik zjarri”, u shpreh ai.
Rama tha se një prej elementëve kryesorë të platformës do të jetë “kartela publike”, e cila do të përmbajë informacion konkret mbi veprimtarinë e institucioneve.
“Kartela publike plotëson disa kritere shumë të thjeshtë: cila është puna që po bëhet, në interes të kujt është, cili institucion po e ndjek, ku janë dokumentet, statusi, cila është prova?”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se “PasqyrAlbania” nuk do të ketë përmbajtje propagandistike, por do të fokusohet te dokumentimi i veprimtarisë së qeverisë, Parlamentit dhe pushtetit gjyqësor.
Sipas Ramës, “Flamingo Mirror” do të jetë një prej komponentëve të parë të platformës dhe do të zgjerohet gradualisht me të dhëna dhe dokumente të reja.

